“Jam i lumtur për Kane dhe për veten”, Fenomeni: E meritoi plotësisht Topin e Artë

27 Nëntor 2026
16:00
Telesport
back button

Ronaldo brazilian ka vlerësuar triumfin e anglezit Harry Kane në garën për “Topin e Artë”, duke theksuar se sulmuesi i Bayern Munich-ut e meritonte plotësisht këtë çmim. Ai shprehu gjithashtu kënaqësinë që një sulmues 9 i mirëfilltë rikthehet në podiumin e çmimeve më të rëndësishme individuale në futboll.

Kane la pas konkurrentë të fortë si Kylian Mbappe (Real Madrid) dhe Lamine Yamal (Barcelona) për të fituar çmimin.

Ronaldo, fitues i “Topit të Artë” në vitet 1997 dhe 2002, u shpreh se u gëzua shumë kur dëgjoi emrin e Kane-it në ceremoninë e muajit të kaluar në “London Palladium”, ku ishin mbledhur shumë yje të futbollit.

Kapiteni 33-vjeçar i Anglisë pati një sezon të jashtëzakonshëm me Bayern Munich-un në Bundesliga dhe në Champions League. Ai gjithashtu e udhëhoqi kombëtaren e tij drejt gjysmëfinaleve të Kupës së Botës, duke shënuar 73 gola gjatë asaj periudhe.

Kane është lojtari i pestë anglez që e fiton këtë çmim prestigjioz – i pari pas Michael Owen-it në vitin 2001 – duke mposhtur disa nga yjet më të mëdhenj të futbollit, përfshirë Kylian Mbappe-n dhe Lamine Yamal-in.

Ai është gjithashtu sulmuesi i parë i mirëfilltë që e fiton këtë çmim pas Karim Benzema-s në vitin 2022.

Në podkastin “Stick to Football” në Disney+, Ronaldo tha: “Ishte diçka e mrekullueshme dhe mendoj se ai e meritonte plotësisht.”

Ai shtoi: “U gëzova për të, por edhe për veten time, sepse ‘numri 9’ është rikthyer. Jam shumë i lumtur, pasi kishte kaluar shumë kohë që kur një ‘numër 9’ nuk fitonte diçka të rëndësishme. Përveç kësaj, ai është një njeri vërtet i mrekullueshëm, ndaj e meritonte plotësisht. U gëzova jashtëzakonisht shumë për të.”

Kur Jamie Carragher e pyeti se sa rëndësi ka ky çmim në Brazil krahasuar me Anglinë, Ronaldo u përgjigj:

“Për ne është shumë i rëndësishëm, dhe në fakt është i rëndësishëm kudo. Ndoshta në Angli ka edhe më shumë rëndësi, sepse lojtari i fundit anglez që e kishte fituar ishte Michael Owen, ndërsa tani, me Harry Kane-in, ky çmim merr sërish rëndësi të madhe”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit