Reshjet e dendura të shiut të shoqëruara me erëra të forta kanë shkaktuar probleme në disa zona të Qarkut të Elbasanit, ku situata më problematike paraqitet në Librazhd.
Grumbullimi i ujit ka prekur disa akse dhe zona, mes tyre Kthesën e Murrashit, Dragostunjën, Hotolishtin dhe Xhyrën, ku reshjet kanë sjellë vështirësi dhe problematika në terren.
Përmbytjet kanë prekur edhe ambientet sportive. Fusha e futbollit ku ekipi i Sopotit të Librazhdit zhvillon ndeshjet zyrtare është mbuluar nga uji, duke e bërë të vështirë zhvillimin e stërvitjeve.
Probleme janë raportuar edhe në furnizimin me energji elektrike. Disa fshatra në bashkitë Elbasan dhe Librazhd kanë mbetur pa drita që prej mbrëmjes së së enjtes.













