Parlamenti italian ka dhënë miratimin përfundimtar për paketën e re ligjore në fushën e arsimit, e cila sjell ndryshime të rëndësishme në shkolla. Mes masave kryesore janë vendosja e një kufiri prej 30% për nxënësit e huaj që nuk kanë njohuri të mjaftueshme të gjuhës italiane në një klasë, si dhe ndalimi i burkave në institucionet arsimore.

Nisma e propozuar nga qeveria e kryeministres Giorgia Meloni mori 142 vota pro, 112 kundër dhe katër abstenime në Dhomën e Ulët të Parlamentit.

Përveç kufizimeve të reja, ligji parashikon edhe detyrimin që prindërit e huaj të mësojnë gjuhën italiane, mbështetje shtesë për nxënësit me aftësi të kufizuara, masa kundër bullizmit në internet dhe iniciativa për të parandaluar braktisjen e shkollës.

Paketa përfshin gjithashtu përgjysmimin e çmimit të librave shkollorë në versionin dixhital. Ky propozim ka shkaktuar debate edhe brenda koalicionit qeverisës, pasi Forza Italia u pozicionua kundër amendamentit në Senat, ndërsa Vëllezërit e Italisë, partia e Melonit, e mbështetën atë.

Ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, e cilësoi ligjin si një hap në mbështetje të familjeve dhe mundësive të barabarta në arsim. Ai nënvizoi se do të vihen në dispozicion fonde shtesë për nxënësit me aftësi të kufizuara, blerjen e librave dhe forcimin e rolit të mësuesve kujdestarë.

Megjithatë, vendimi ka hasur në reagime të forta nga opozita. Kreu i Partisë Demokratike, Elly Schlein, kundërshtoi qasjen e qeverisë, duke argumentuar se përmirësimi i arsimit kërkon investime në shkolla dhe shtim të personelit, jo masa kufizuese ndaj nxënësve të huaj.

Sipas saj, institucionet arsimore kanë nevojë për rikonstruksion të ndërtesave, më shumë mësues, klasa me orar të plotë dhe shërbime psikologjike për nxënësit.

Debati për ligjin është zhvilluar në një periudhë kur kushtet e infrastrukturës shkollore në Itali janë vënë gjithnjë e më shumë në pikëpyetje. Protestat e fundit të studentëve kanë rikthyer në vëmendje amortizimin e godinave dhe mungesën e investimeve në sistemin arsimor.