Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit është vlerësuar bashkëpunimi i mirë ndërmjet dy vendeve dhe dinamika pozitive e marrëdhënieve politike, diplomatike dhe ekonomike.

Presidentja Shiroka Pula ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe përkrahjen reciproke në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale.

Në këtë kontekst, ajo ka vlerësuar edhe rritjen e shkëmbimeve tregtare, përmirësimin e bilancit tregtar dhe zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy shteteve.

Gjatë takimit, Shiroka Pula ka përshëndetur vendosjen e pikave të përbashkëta kufitare dhe fillimin e punimeve në autostradën Shkup–Bllacë.

Ajo ka theksuar gjithashtu rëndësinë e përfundimit të procedurave për ndërtimin e tunelit që do të lidhë Prizrenin me Tetovën, si dhe përpjekjeve për rivendosjen e linjës hekurudhore Prishtinë–Shkup.