Partia Demokratike po intensifikon përgatitjet për betejën elektorale në kryeqytet, ndërsa strukturat e saj kanë nisur të konkretizojnë propozimet për kandidatin që do të synojë drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Me afrimin e 30 nëntorit, afatit të përcaktuar nga kreu i PD-së, Sali Berisha, disa emra të njohur të demokratëve kanë dalë në pah si kandidatë të mundshëm.
Mes emrave të propozuar nga degët e kryeqytetit është Jorida Tabaku, pavarësisht se deputetja demokrate ka deklaruar më herët se nuk ka ambicie për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës. Një tjetër emër që gëzon mbështetje brenda strukturave është ai i mjekut Ilir Alimehmeti, i cili ka edhe mbështetjen e Sali Berishës për të përfaqësuar demokratët në garën vendore.
Në listën e propozimeve figuron gjithashtu Belind Këlliçi, të cilin një pjesë e demokratëve kërkojnë ta rikthejnë në garën për kryeqytetin. Mes alternativave të tjera janë edhe Klevis Balliu dhe Ethem Aga.
Pas përfundimit të afatit të propozimeve, ditën e hënë, pritet të ngrihet një komision përzgjedhës me pesë anëtarë, i cili do të shqyrtojë dokumentacionin e kandidatëve brenda një periudhe 15-ditore. Emrat që do të kalojnë këtë fazë seleksionimi do t’i nënshtrohen më pas miratimit të Kryesisë së Partisë Demokratike. Mbetet për t’u parë se cili prej emrave të propozuar do të marrë besimin e demokratëve për të udhëhequr betejën politike për Tiranën.