Lista Studentore në Serbi shpall kandidatin për president

Lista Studentore, e krijuar nga grupimi qytetar “Studentët Fitojnë Sërish”, ka shpallur akademikun Radomir Saiçiq si kandidat për president të Serbisë në zgjedhjet e 27 dhjetorit.
Gjatë prezantimit në Beograd, Saiçiq u shpreh se ndihet krenar për besimin e studentëve dhe premtoi se do të angazhohet për një Serbi sovrane, respektimin e Kushtetutës dhe një sistem vlerash që vendos qytetarët në qendër.
Ai theksoi se si president do të respektojë kompetencat kushtetuese, do të bëjë publike arsyet e vendimeve të tij dhe do të kërkojë përgjegjësi nga institucionet e tjera.
Saiçiq është anëtar i rregullt i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU), si dhe profesor në Fakultetin e Kimisë në Universitetin e Beogradit. Ai ka publikuar më shumë se 80 punime shkencore në revista ndërkombëtare.
Në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, ai ishte i 91-ti në listën studentore dhe u zgjodh deputet. Aktualisht është anëtar i Komisionit parlamentar për Arsim, Shkencë, Zhvillim Teknologjik dhe Shoqëri të Informacionit.
Zgjedhjet presidenciale në Serbi do të mbahen më 27 dhjetor, pas përfundimit të parakohshëm të mandatit të Aleksandar Vuçiçit, i cili dha dorëheqjen më 27 shtator për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare.




