Biletat për Kampionatin Europian U-21 2027 kanë dalë zyrtarisht në shitje. Tifozët mund të sigurojnë tashmë vendet e tyre për të ndjekur nga afër një prej kompeticioneve më të rëndësishme të futbollit europian për këtë grupmoshë, që do të zhvillohet nga 16 qershori deri më 3 korrik 2027.

Biletat janë të disponueshme online në seksionin e dedikuar të UEFA-s, në adresën uefa.com/under21/ticketing në këtë link https://under21.fshf.org/biletat/ .

Edicioni i vitit 2027 do të zhvillohet në Shqipëri dhe Serbi, me 16 kombëtare pjesëmarrëse të ndara në katër grupe. Shqipëria U-21 do të jetë pjesë e Grupit B, së bashku me Spanjën, Italinë dhe Finlandën.

Në vendin tonë do të zhvillohen ndeshjet e Grupeve B dhe D, me 12 përballje në katër stadiume: “Arena Kombëtare” dhe “Arena e Demave” në Tiranë, “Elbasan Arena” në Elbasan dhe “Loro Boriçi” në Shkodër. Gjithashtu, Shqipëria do të mirëpresë edhe dy ndeshje çerekfinale, një gjysmëfinale dhe finalen e madhe të këtij kompeticioni.

Çmimet e biletave

Biletat janë të ndara në dy kategori, me çmime të ndryshme sipas fazës së kompeticionit:

Faza e grupeve
Kategoria 1: 1,350 lekë
Kategoria 2: 1,000 lekë

Faza me eliminim direkt
Kategoria 1: 1,750 lekë
Kategoria 2: 1,350 lekë

Finalja
Kategoria 1: 2,300 lekë
Kategoria 2: 1,750 lekë

FSHF fton të gjithë tifozët dhe sportdashësit të bëhen pjesë e këtij eventi madhor, të sigurojnë biletat e tyre dhe të përjetojnë nga afër emocionet e Kampionatit Europian U-21 2027, që do të sjellë në Shqipëri talentet më premtues të futbollit europian.

Procedura se si blihet bileta online:
Fillimisht ju duhet të regjistroheni në platformë duke përdorur një adresë e-mail.
Më pas, zgjidhni tribunën e stadiumit dhe më pas përzgjidhni ulësen.
Pasi keni përzgjedhur ulëset, duhet të plotësoni në tabelën dialoguese të dhënat për biletat (mbiemër, emër, e-mail)
Në fund procedoni me pagesën, duke plotësuar të dhënat e kartës tuaj. Pasi të konfirmohet pagesa, bileta do të mbërrijë në adresën e-mail me të cilën jeni regjistruar në platformë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb