Aktualitet

Takimi në Ohër, Shiroka Pula vlerëson marrëdhëniet me Shqipërinë: Nuk na ndan asgjë

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, është takuar me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në Ohër, në kuadër të Procesit Brdo–Brijuni.

Në fokus të takimit kanë qenë marrëdhëniet mes dy vendeve, forcimi i bashkëpunimit strategjik dhe integrimi euroatlantik.

Sipas njoftimit të Presidencës së Kosovës, Shiroka Pula ka theksuar lidhjet e veçanta mes Kosovës dhe Shqipërisë, të ndërtuara mbi historinë, gjuhën, kulturën dhe identitetin e përbashkët.

“Ajo nënvizoi se nuk ka asgjë që i ndan dy shtetet, të cilat janë një zemër, një mendje dhe një komb, të bashkuara nga e njëjta frymë në të dy anët e kufirit”, thuhet në njoftim.

Gjatë bisedës, presidentja e Kosovës ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë, duke vlerësuar rëndësinë e koordinimit më të ngushtë mes dy vendeve.

Një tjetër çështje e diskutuar ka qenë rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Shiroka Pula ka vlerësuar përvojën e Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe përparimin e saj në procesin e integrimit evropian.

Presidentja ka rikujtuar gjithashtu se Shqipëria është vendi me të cilin Kosova ka nënshkruar numrin më të madh të marrëveshjeve dhe memorandumeve të bashkëpunimit, një pjesë e konsiderueshme e të cilave tashmë janë në zbatim.