Raportet në media kanë zbuluar një përshkallëzim të ri në çështjen që lidhet me shkeljet financiare të atribuuara Manchester City-t.
Klubet rivale në Premier League kanë shprehur dëshirën për t’i detyruar pronarët e klubit që ta shesin atë, si një ndëshkim shtesë për shkeljet për të cilat klubi u shpall fajtor se i ka kryer gjatë një periudhe që përfshin nëntë sezone.
Manchester City është ende në pritje për të mësuar se çfarë sanksionesh do të përballet, pasi u shpall fajtor për shkeljen e rregullave financiare të Premier League, krahas një sërë akuzash të tjera që lidhen me dështimin e klubit për të bashkëpunuar në hetimin e ligës.
Sipas BBC-së, përfaqësues të të paktën tre klubeve të Premier League besojnë se pronarët e City-t nga Abu Dhabi duhet të largohen nga klubi; ata kanë hedhur idenë e detyrimit të tyre për ta shitur klubin, si një masë ndëshkuese shtesë.
City pritet të përballet me sanksione të rënda, duke përfshirë heqjen e një numri të madh pikësh – gjë që mund ta çojë klubin buzë rënies nga kategoria – si dhe gjoba të majme. Disa klube rivale duan të shkojnë edhe më tej: ato po kërkojnë një ndryshim në pronësinë e klubit.
Megjithatë, klubet e Premier League nuk e kanë fuqinë për të marrë një vendim të tillë. Kjo kompetencë i takon Organit të Pavarur Rregullator të Futbollit (IFR), i cili, në raste ekstreme, mund të largojë drejtuesit e një klubi, madje edhe të detyrojë pronarët ta shesin klubin.
David Kogan, kreu i këtij organi rregullator, deklaroi këtë javë para Komisionit për Kulturën, Median dhe Sportin në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar se institucioni që ai drejton nuk do të hezitojë të ndërmarrë veprimet e nevojshme, pavarësisht emrit të klubit, madhësisë së tij apo natyrës së çështjes.
“Harrojeni emrin e klubit, harrojeni madhësinë e klubit, harrojeni përmasën e çështjes”, tha Kogan. “Ne thjesht nuk mund t’i shpërfillim detyrimet tona ligjore ndaj një klubi, vetëm e vetëm sepse ai ka një madhësi të caktuar”.
Ai shtoi se organi rregullator do të ndërmarrë veprimet e duhura, ashtu siç e kërkon ligji dhe rrethanat konkrete, duke u bazuar në provat e mbledhura nga komisioni i pavarur i Premier League, si dhe në çdo vendim që mund të merret lidhur me këto prova gjatë fazës së apelimit.
Ai shkoi më tej: “Provat janë vlerësuar tashmë përmes vendimeve që konfirmojnë fajësinë, ndaj sigurisht që do të kemi vullnetin për të vepruar. Duhet të tregojmë qartë se po e kryejmë detyrën që na kanë ngarkuar ligjvënësit, dhe do ta bëjmë këtë pavarësisht pasojave”.
Sipas raportit, organi rregullator ndodhet nën një presion në rritje lidhur me marrëdhëniet midis pronarëve të “City”-t – përfshirë Sheik Mansour-in – dhe figurave politike në Mançester. Mes tyre është edhe Andy Burnham, ish-kryebashkiaku i qytetit dhe aktualisht një figurë politike e lartë.
Kjo vjen pasi “The Sun” zbuloi se kryetari i City-t, Khaldoon Al Mubarak, i ngriti çështjet që lidhen me hetimet ndaj klubit gjatë bisedimeve tregtare me Sekretarin e Biznesit të Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Reynolds. Al Mubarak drejton gjithashtu “Mubadala Investment Company”, fondin sovran të investimeve të Abu Dhabit.
Besohet se Abu Dabi ka investuar pothuajse 1 miliard paund në qytetin e Mançesterit që kur mori nën kontroll klubin në vitin 2008. Ndërkohë, akuzat pretendojnë se “City” ka fshehur rreth 900 milionë paund midis viteve 2009 dhe 2018, përmes marrëveshjeve tregtare që cilësohen si fiktive.
Falë procedurave të reja të përshpejtuara, seanca e apelit pritet të zgjasë rreth 12 javë, duke filluar nga momenti i dorëzimit zyrtar të çështjes më 30 shtator. Kjo mund të nënkuptojë një vendim përfundimtar përpara Pashkëve.
Me çfarë akuzash financiare përballet Manchester City?
Në thelb të çështjes qëndrojnë akuzat e Premier League se City ka fshehur rreth 900 milionë paund përmes marrëveshjeve tregtare fiktive gjatë nëntë sezoneve.
Raporti thekson se klubi u shpall fajtor për 114 nga 115 akuzat fillestare – ndërkohë që numri i përgjithshëm u rrit më pas në 130 – të ndara në gjashtë kategori kryesore:
50 akuza për dështimin në ofrimin e informacionit të saktë financiar lidhur me të ardhurat nga sponsorizimet, palët e lidhura me klubin dhe kostot operacionale, për periudhën nga sezoni 2009-10 deri në sezonin 2017-18.
8 akuza për dështimin në ofrimin e detajeve të plota mbi bonuset dhe pagat e drejtuesve, gjatë sezoneve 2009-10 deri në 2012-13. 12 akuza për dështimin në ofrimin e detajeve të plota mbi bonuset dhe pagat e lojtarëve, gjatë periudhës midis sezoneve 2010-11 dhe 2015-16.
5 akuza për shkelje të rregulloreve të UEFA-s mbi licencimin dhe “Fair Play”-n Financiar, gjatë periudhës midis sezoneve 2013-14 dhe 2017-18.
25 akuza për shkelje të rregullave të Premier League mbi përfitueshmërinë dhe qëndrueshmërinë, gjatë periudhës midis sezoneve 2015-16 dhe 2017-18.
30 akuza për mosbashkëpunim me hetimet e Premier League, nga sezoni 2018-19 e deri në sezonin 2022-23.







