Aktiviteti në sektorin e ndërtimit ka shënuar rritje gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, si në numrin e lejeve të miratuara, ashtu edhe në vlerën e projekteve të parashikuara.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, gjatë kësaj periudhe janë miratuar gjithsej 419 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 289 leje në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo përfaqëson një rritje prej rreth 45% në terma vjetorë.
Paralelisht me shtimin e numrit të lejeve, është zgjeruar edhe sipërfaqja e parashikuar për ndërtim. Ajo arriti në 362,798 metra katrorë, duke shënuar një rritje prej 3.5% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025.
Sa i përket destinacionit të ndërtimeve, projektet për banim vijojnë të zënë pjesën më të madhe. Gjatë tremujorit të tretë janë miratuar 329 leje për ndërtesa banimi, me një sipërfaqe totale prej 259,724 metrash katrorë. Brenda kësaj kategorie, ndërtesat me dy kate përbëjnë 158 leje, ndërsa ato me një kat numërojnë 123 leje. Nga ana tjetër, 44 leje janë miratuar për ndërtesa me tre ose më shumë kate, me një sipërfaqe të konsiderueshme prej 188,089 metrash katrorë.
Ndërkohë, 90 leje të tjera i përkasin ndërtesave për qëllime jo rezidente. Rritje është regjistruar edhe në vlerën e përafërt të projekteve të miratuara, e cila, sipas të dhënave të INSTAT, arriti në rreth 24.1 miliardë lekë, nga 15.9 miliardë lekë një vit më parë. Kjo përfaqëson një zgjerim prej 51.6% në terma vjetorë.
Megjithatë, INSTAT sqaron se statistikat e publikuara për lejet e ndërtimit mbështeten aktualisht vetëm në të dhënat e siguruara nga bashkitë, të cilat janë autoritetet kryesore për dhënien dhe raportimin e tyre. Sipas kuadrit ligjor në fuqi, në procesin e miratimit të lejeve përfshihen edhe institucione të tjera përgjegjëse, përveç bashkive. Instituti i Statistikave bën të ditur se po punon për përfshirjen e të gjitha institucioneve përgjegjëse në një proces të unifikuar raportimi statistikor.










