Rrëzohet Buxheti i Bashkisë së Vlorës për vitin 2027, Prefektura: Shkelje ligjore, nuk e konfirmojmë ligjshmërinë e planit të miratuar

27/11/2026 17:28

Prefektura e Qarkut Vlorë ka kthyer për rishqyrtim buxhetin e Bashkisë Vlorë për vitin 2027. Shkak për këtë vendim është bërë koha kur është miratuar buxheti vendor, përpara miratimit të buxhetit të shtetit për vitin 2027.

Prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Allushi, sqaron se kthimi për rishikim nuk lidhet me shumën e parashikuar në buxhet, por me procedurën dhe afatin e miratimit të tij. Sipas saj, buxheti vendor është miratuar përpara se Kuvendi të miratonte buxhetin e shtetit, në kundërshtim me procedurën e parashikuar në legjislacion.

Përmes një shkrese zyrtare të datës 26 nëntor, Prefekti i Qarkut Vlorë ka vlerësuar të paligjshëm vendimin nr. 103, datë 16 nëntor 2026, të Këshillit Bashkiak, për miratimin e buxhetit vjetor 2027 dhe Programit Buxhetor Afatmesëm 2027-2029.

Në dokumentin zyrtar kërkohet që vendimi të kthehet për rishqyrtim, pasi sipas Prefekturës nuk janë respektuar dispozitat ligjore që përcaktojnë procedurën e miratimit të buxheteve vendore.

Tashmë Bashkisë së Vlorës i duhet të rishikojë buxhetin dhe ta rikthejë atë për vijimin e procedurave ligjore të miratimit.

“Buxheti i Bashkisë Vlorë për vitin 2027 rrëzohet nga Prefektura për shkelje ligjore! Më datë 16 nëntor u zhvillua mbledhja e Këshillit Bashkiak Vlorë, ku me votat e Partisë së Rilindjes u votua dhe miratua buxheti për vitin 2027.

Pas 6 orësh diskutimesh dhe këmbënguljes së këshilltarëve të opozitës, të cilët ngritën pretendime konkrete për shkelje procedurale dhe ligjore në hartimin dhe miratimin e këtij buxheti, ai u miratua nga shumica.

Më datë 17 nëntor, nënkryetari i Këshillit Bashkiak dhe tre kryetarët e grupeve që përfaqësojnë 17 këshilltarë të opozitës, i drejtuan një shkresë zyrtare Prefekturës, duke paraqitur argumentet ligjore dhe kërkesën për të mos konfirmuar ligjshmërinë e këtij vendimi. Sot, Prefektura i ka përcjellë Bashkisë Vlorë shkresën zyrtare, duke mos e konfirmuar ligjshmërinë e buxhetit të miratuar.

Në ditët në vijim pritet njoftimi nga Kryesia e Këshillit Bashkiak për thirrjen e mbledhjes së radhës, ku do të duhet të shqyrtohet dhe të ndiqet procedura për një miratim të ri të buxhetit. Kjo është arsyeja pse transparenca, respektimi i ligjit dhe përgjegjësia institucionale nuk mund të anashkalohen”, thuhet në njoftimin e këshilltarit Gjergj Nika.

Top Channel