Leopardi 19-vjeçar bëhet viral në internet, pamja e tij i rrumbullakosur tërheq vëmendjen e përdoruesve

27/11/2026 17:26

Një leopard 19-vjeçar në Kinë është kthyer papritur në një sensacion në rrjetet sociale, për shkak të pamjes së tij të pazakontë dhe trupit të rrumbullakosur.

Pan Baobao, që jeton në Kopshtin Zoologjik Panzhihua, në provincën Sichuan të Kinës jugperëndimore, ka fituar simpatinë e mijëra përdoruesve të internetit, të cilët e kanë cilësuar si një simbol të pozitivitetit ndaj trupit.

Pamja e leopardit ka nxitur edhe krahasime me Oficeren Clawhauser, personazhin e dashur të filmit të animuar “Zootopia”, një gepard me trup të shëndoshë.

Popullariteti i tij ka rikthyer në vëmendje edhe përpjekjet e mëparshme të kopshtit zoologjik për të kontrolluar peshën e kafshës. Në vitin 2024, Pan Baobao u përfshi në një program të rreptë dobësimi, për shkak të shqetësimeve për shëndetin e tij.

Megjithatë, pas konsultimeve me ekspertët, drejtuesit e kopshtit zoologjik vendosën të ndërpresin dietën me kufizim kalorish dhe t’i krijojnë kafshës më shumë hapësirë për të jetuar.

Zëdhënësi i kopshtit zoologjik, Zhang Songwen, shpjegoi se mosha e avancuar e leopardit nuk e bën të përshtatshme një përpjekje të mëtejshme për humbje peshe.

“Kjo nuk do të thotë se nuk e kontrollojmë dietën e tij, por ai po plaket dhe nuk duhet të humbasë peshë”, deklaroi ai, duke theksuar se përparësi tashmë ka ruajtja e gjendjes fizike dhe mbrojtja e shëndetit të kafshës.

Aktualisht, Pan Baobao konsumon më shumë se 500 gramë mish viçi dhe pule çdo ditë, në mënyrë që të marrë vlerat ushqyese të nevojshme.

Pavarësisht komenteve të vizitorëve se barku i leopardit duket se po zmadhohet, zyrtarët e kopshtit zoologjik bëjnë me dije se pesha e tij ka mbetur relativisht e qëndrueshme. Madje, kontrolli i fundit veterinar ka konfirmuar se kafsha gëzon shëndet të mirë.

Ndërkohë, fama e Pan Baobao ka shkaktuar edhe polemika. Disa përdorues kanë kritikuar kopshtin zoologjik, duke ngritur dyshime se kafshët ushqehen qëllimisht më shumë për t’i bërë tërheqëse për vizitorët. Reagime të ngjashme pati edhe në rastin e hipopotamit të famshëm Moo Deng.

Megjithatë, kujdestarët e leopardit këmbëngulin se synimi i tyre nuk është pamja që ai ka, por mirëqenia e tij. Ata thonë se do të përqendrohen në mbajtjen e Pan Baobao të shëndetshëm, aktiv dhe sa më të rehatshëm, pa iu nënshtruar më dietave për humbje peshe.

Top Channel