Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare ishte ndër figurat e shquara të Ballkanit që presidenti në detyrë i Serbisë, Aleksandar Çupiç, përmendi gjatë fjalës së tij në samitin e Procesit të Brdo-Brijunit në Ohër, ku bëri thirrje për forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.

Duke folur për trashëgiminë kulturore dhe shkencore të rajonit, Çupiç përmendi Goce Dellçevin, Petar II Petroviç Njegoshin, France Presherenin, Ivo Andriçin, Mesha Selimoviçin, Miroslav Krlezhën, Ismail Kadarenë, Nikola Teslën, Mihajlo Pupinin dhe Rudjer Boshkoviçin.

“Kemi çfarë t’i ofrojmë njëri-tjetrit, Europës dhe botës. Jam i bindur se do të ruajmë atë që është e mirë në marrëdhëniet tona dhe do të përmirësojmë atë që realisht mund të përmirësohet”, deklaroi Çupiç.

Duke iu referuar projektdeklaratës së samitit, presidenti në detyrë i Serbisë theksoi se Beogradi e kupton nevojën për bashkëpunim rajonal, por ka edhe detyrimin për të mbrojtur interesat e tij kombëtare dhe shtetërore.

“Ne i mirëkuptojmë plotësisht idetë e shprehura me qëllime të mira në tekstin e propozuar të deklaratës së Procesit të Brdo-Brijunit. Solidariteti dhe demokracia kanë qenë, janë dhe do të jenë në krye të listës së nevojave të rajonit tonë. Ekziston një nevojë e dukshme për të bashkëpunuar, për të përparuar dhe për të ndërtuar një botë më të mirë për pasardhësit tanë. Por ekziston edhe një detyrim i qartë ndaj qytetarëve tanë për të mbrojtur interesat jetike shtetërore dhe kombëtare dhe për të ruajtur dinjitetin në marrëdhëniet ndërkombëtare”, tha Çupiç.

Ai u ndal edhe te largimi i të rinjve nga vendet e Ballkanit, duke theksuar se përfshirja e tyre në proceset politike është thelbësore për të ardhmen e rajonit.

“Edhe pse nuk jam më aq i ri, nga Serbia ju sjell optimizmin dhe energjinë e rinisë. Kemi një ëndërr dhe plane për një shtet dhe një shoqëri më të mirë. Besoj se në këtë aspekt nuk ndryshojmë nga të tjerët. Më vjen shumë mirë që sot dëgjova se duhet të përfshijmë të rinjtë, sepse pa përfshirjen e tyre në proceset politike nuk mund të presim që ata të qëndrojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në këto vende, dhe ky, besoj, është qëllimi kryesor i secilit prej nesh”, u shpreh ai.

Çupiç, i cili ushtron përkohësisht detyrën e kreut të shtetit serb, foli edhe për situatën politike në vendin e tij. Ai tha se pret që qeveria e re e Serbisë të formohet brenda një afati të arsyeshëm dhe se programi i saj do të bëhet publik.

Sa i përket politikës së jashtme të Serbisë, Çupiç deklaroi se në këtë moment nuk është i autorizuar të japë hollësi, por siguroi se ajo do të mbetet e ekuilibruar, e parashikueshme dhe e qëndrueshme.

Pjesëmarrja e Çupiçit në samitin e Ohrit vjen një ditë pasi ai shpalli zgjedhjet e parakohshme presidenciale në Serbi, të cilat do të mbahen më 27 dhjetor.

“Jam i bindur se qytetarët e Republikës së Serbisë më 27 dhjetor do të zgjedhin në mënyrë demokratike një person që do ta përfaqësojë me dinjitet shtetin dhe do të mishërojë unitetin e tij. Qytetarët e Serbisë kanë treguar se e kuptojnë rëndësinë e institucioneve, të ndërtimit dhe të ruajtjes së tyre, si dhe nevojën jetike për sundimin e ligjit”, përfundoi Çupiç.