“Nuk kam fshehur të ardhurat”/ Xhensila Myrtezaj thyen heshtjen pas akuzave për evazion fiskal
Këngëtarja Xhensila Myrtezaj ka reaguar publikisht pas raportimeve se do të përballet me drejtësinë për dyshimet mbi fshehjen e të ardhurave dhe shmangien e detyrimeve tatimore, në një vlerë që raportohet të jetë mbi 6 milionë lekë.
Përmes një deklarate të gjatë, Myrtezaj ka kundërshtuar pretendimet dhe ka kritikuar mënyrën se si një pjesë e mediave kanë pasqyruar çështjen. Sipas saj, disa tituj e kanë paraqitur evazionin fiskal si një fakt të provuar, ndonëse bëhet fjalë për akuza që ende nuk janë konfirmuar me vendim gjykate.
Këngëtarja kujton se prej më shumë se një dekade ka ndërtuar karrierën e saj përmes punës dhe sakrificave, duke theksuar se nuk do të lejojë që imazhi publik të dëmtohet nga publikime që i konsideron të pavërteta.
“Nuk do të lejoj kurrë që figura ime të njolloset nga tituj mediatikë të paverifikuar dhe të pavërtetë”, shprehet ajo.
Myrtezaj mohon kategorikisht të ketë fshehur të ardhurat, duke argumentuar se ato janë faturuar në sistemin shtetëror dhe se administrata tatimore disponon të dhënat përkatëse.
“Të ardhurat e mia janë faturuar në sistemin e shtetit shqiptar. Nuk ka mosdeklarim të të ardhurave. Nuk mund të fshihet ajo që ndodhet në sistemin e vetë administratës sonë tatimore”, deklaron këngëtarja.
Ajo kundërshton gjithashtu raportimet për fshehje pasurie apo blerje pronash me burime të pajustifikuara, duke pretenduar se këto publikime nuk kanë lidhje me akuzat që janë ngritur ndaj saj dhe nuk pasqyrojnë realitetin.
Në deklaratën e saj, Myrtezaj thotë se ka bashkëpunuar me organet tatimore dhe të drejtësisë dhe se do të vërë në dispozicion çdo dokument të kërkuar për të sqaruar çështjen.
Ajo paralajmëron gjithashtu se nuk do të bëjë më komente publike, duke theksuar se përgjigjen do ta japë përpara organeve të drejtësisë. Ndërkohë, kërkon nga mediat që të mos përdorin emrin dhe imazhin e saj në tituj që, sipas saj, paraqesin akuza të paprovuara si fakte.
Deklarata e plotë e Xhensila Myrtezajt:
“Figurën time publike e kam ndërtuar për më shumë se një dekadë me punë, sakrifica dhe korrektesë ndaj publikut, shtetit dhe ligjit. Karrierën time e kam ndërtuar me punën artistike dhe me respekt për publikun. Nuk do të lejoj kurrë që figura ime të njolloset nga tituj mediatikë të paverifikuar dhe të pavërtetë.
Akuzat që ngrihen nuk janë vendime gjykate. Kërkesa e Prokurorisë për deklarime të pasakta përmban pretendimin e njërës palë. Unë prezumohem e pafajshme derisa fajësia të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë, sipas nenit 30 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Titujt që e paraqesin evazionin si fakt të provuar e shkelin këtë parim.
Të ardhurat e mia janë faturuar në sistemin e shtetit shqiptar. Nuk ka mosdeklarim të të ardhurave. Nuk mund të fshihet ajo që ndodhet në sistemin e vetë administratës sonë tatimore.
Akuzat që ngrihen nuk kanë të bëjnë me pasuri të krijuara prej meje. Shkrimet për ‘fshehje pasurie’ apo për ‘blerje pronash me burime të pajustifikuara’ janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë realitetin.
Kam bashkëpunuar plotësisht me organet tatimore dhe me organet e drejtësisë dhe do të vazhdoj ta bëj këtë, duke u vënë në dispozicion çdo dokument që kërkojnë për zbardhjen e së vërtetës.
Çdo titull i pavërtetë dhe çdo foto e imja e përdorur për të ilustruar një akuzë të paprovuar më shkakton dëm moral, profesional dhe familjar. Emri im nuk është material për klikime. Jeta ime, puna ime dhe familja ime preken drejtpërdrejt nga këto publikime të pasakta.
U kërkoj mediave dhe portaleve të mos përdorin emrin dhe figurën time në tituj që nuk pasqyrojnë të vërtetën. Nuk do të bëj më komente publike. Përgjigjen time do t’ua jap organeve të drejtësisë, ku do të paraqes provat se çdo e ardhur e imja është e ligjshme dhe e deklaruar sipas ligjit.”

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



