Qeveria miraton aktin normativ për dëmet gjatë protestave, organizatorët dhe personat që kryen dëmet do mbajnë përgjegjësi financiare

Këshilli i Ministrave ka miratuar një akt normativ që parashikon kompensimin nga shteti të dëmeve materiale të shkaktuara gjatë tubimeve dhe protestave, si dhe rikuperimin e shumave të paguara nga personat përgjegjës. Sipas rregullave të reja, përgjegjësia nuk do të kufizohet vetëm te personat që kryejnë akte dhune, por në kushte të caktuara mund të shtrihet edhe te individët apo organizatat që kanë organizuar dhe drejtuar tubimin.
Akti normativ, i propozuar nga ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit dhe ministri i Drejtësisë, përcakton mënyrën se si do të trajtohen dëmet ndaj pronës private dhe publike gjatë protestave, tubimeve dhe aktiviteteve të tjera në hapësira publike.
Një nga pikat kryesore të tij është mundësia që shteti të kompensojë paraprakisht qytetarët dhe bizneset e dëmtuara, pa qenë e nevojshme që autori i dëmit të jetë identifikuar. Më pas, institucionet shtetërore do të ndjekin procedurat ligjore për të rikuperuar paratë nga personat që kanë shkaktuar dëmin.
Kush përfiton nga kompensimi i shtetit?
Sipas aktit normativ kompensimi mund të përfitohet nga personat fizikë, si dhe nga subjektet juridike me aktivitet tregtar nën 14 milionë lekë në vit, në rastet kur prona e tyre dëmtohet nga aktet e dhunës gjatë tubimeve.
Kompensimi parashikohet vetëm për pasuritë e pasiguruara. Nëse prona është e siguruar dhe kontrata mbulon dëmin e shkaktuar nga trazirat apo aktet e dhunshme, pagesa kryhet nga kompania e sigurimit.
Në rastet kur sigurimi nuk e mbulon këtë rrezik, prona konsiderohet e pasiguruar për efekt të aktit normativ. Nëse siguracioni mbulon vetëm një pjesë të dëmit, shteti mund të kompensojë pjesën e mbetur.
Megjithatë, kompensimi nuk do të jetë automatik për çdo protestë apo rast dëmtimi. Vendimi do të merret rast pas rasti nga Këshilli i Ministrave, duke marrë parasysh gjendjen e buxhetit, shkallën e dëmeve dhe pasojat që ato kanë shkaktuar për qytetarët dhe bizneset.
Organizatorët e protestave mund të mbajnë përgjegjësi
Një nga dispozitat më të rëndësishme të aktit normativ lidhet me përgjegjësinë e organizatorëve të tubimeve.
Sipas aktit normativ organizatat ose individët që kanë zhvilluar, drejtuar dhe organizuar një tubim mund të përgjigjen financiarisht së bashku me autorët e dëmit. Por kjo përgjegjësi nuk është automatike. Organizatorët përjashtohen nëse provojnë se aktet e dhunshme nuk janë nxitur prej tyre dhe se nuk kanë pasur mundësi t’i parandalojnë.
Nga ana tjetër, akti normativ përcakton shprehimisht se askush nuk mund të mbajë përgjegjësi vetëm për faktin se ka marrë pjesë në një protestë. Pra, pjesëmarrja në një tubim, edhe nëse gjatë tij ndodhin akte dhune, nuk përbën në vetvete shkak për detyrim financiar. Përgjegjësia lidhet me veprimet konkrete, organizimin apo nxitjen e dhunës.
Pasi të kryhet kompensimi për qytetarët apo bizneset e dëmtuara, shteti do të marrë përsipër të drejtën për të kërkuar rikthimin e shumës së paguar nga autorët e dëmit.
Këtë proces do ta ndjekë Avokatura e Shtetit, e cila do të marrë dokumentacionin përkatës nga institucioni që ka kryer pagesën dhe nga Policia e Shtetit.
Fillimisht, personit të identifikuar si përgjegjës do t’i kërkohet të kthejë vullnetarisht shumën e kompensimit. Nëse pagesa nuk kryhet brenda 30 ditëve, Avokatura e Shtetit mund të ngrejë padi për rikuperimin e parave.
Të njëjtat procedura parashikohen edhe për dëmet ndaj pronës shtetërore dhe publike. Një tjetër element i parashikuar në aktin normativ është mundësia që detyrimi financiar të shlyhet përmes punës në interes publik.
Për personat e mitur parashikohen rregulla të veçanta, ku kërkohet pëlqimi i prindërve dhe dëgjimi i njësisë për mbrojtjen e fëmijës. Çdo punë duhet të jetë e përshtatshme për moshën dhe nuk duhet të pengojë shkollimin.
Në aktin normativ theksohet se zbatimi i këtyre rregullave nuk cenon lirinë e tubimit paqësor, të garantuar nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Dispozitat zbatohen për të gjitha tubimet në vende publike ose të hapura për publikun, pavarësisht nëse janë të njoftuara, të ndaluara apo spontane. Në këtë kategori përfshihen edhe tubimet gjatë aktiviteteve sportive, kulturore dhe festive.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



