Bizneset e vogla kapen në befasi me kurthin e TVSH-së, kush kaloi 5 milionë lekë në 2026 tatohet nga 1 janari
Ndryshimi i pragut të TVSH-së po funksionon si një “pritë” e vërtetë për bizneset e vogla. Edhe pse zyrtarisht ulet nga 10 në 5 milionë lekë duke nisur nga 1 janari 2027, ligji nuk u jep bizneseve një vit të ri fiskal për të parë nëse e kalojnë këtë kufi. Përkundrazi, masa vepron me efekt prapaveprues: merret për bazë xhiroja që bizneset kanë realizuar gjatë gjithë vitit 2026.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi se çdo biznes që gjatë këtij viti kalendarik ka kaluar kufirin e 5 milionë lekëve qarkullim vjetor, do të kalojë automatikisht në skemën e TVSH-së duke nisur nga data 1 janar 2027.
Kjo do të thotë se mijëra sipërmarrës, të cilët kanë punuar dhe kanë planifikuar çmimet e kostot e tyre me rregullat e vjetra (ku pragu ishte 10 milionë lekë), e gjejnë veten të kapur në befasi.
Pa pasur mundësi të rregullojnë marzhet apo strategjinë e tyre gjatë vitit, nga data 1 janar 2027 ata do të futen automatikisht në skemën e TVSH-së nga Administrata Tatimore, sapo sistemi të konstatojë se xhiroja e vitit 2026 ka kaluar 5 milionë lekët.
Çfarë i pret konkretisht këto biznese nga 1 janari?
Kalimi pa paralajmërim i detyron bizneset të paguajnë 20% TVSH ose të rrisin çmimet për konsumatorin final, duke humbur konkurrueshmërinë. Paralelisht brenda pak javësh, bizneset e prekura duhet të blejnë certifikata të reja elektronike, të përditësojnë software-t e fiskalizimit, të mbajnë kontabilitet më të rënduar dhe të deklarojnë çdo muaj.
Ndwrkohw qw njw tjetwr problem wshtw inventari. Bizneset detyrohen të bëjnë dhe dorëzojnë inventarin e mallrave gjendje për të tentuar kreditimin e TVSH-së së stokut, një proces që shpesh sjell ngërçe dhe kontrolle tatimore.












