
Komisioni Institucional i Zgjedhjeve (KIZ) në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, ka preferuar të marrë disa orë kohë për të verifikuar nëse kandidatët zyrtarë të garës për rektor të kësaj IAL-je, plotësojnë kriteret për pjesëmarrje në garën e 14 dhjetor 2026. Bëhet fjalë për rektoren aktuale Blerta Dragusha dhe ish- rektorin Adem Bekteshi.
Në fakt, në këtë rast, shtyrja e zyrtarizimit me vendimmarrje nga KIZ, nuk ka shumë kuptim, pikërisht për shkak të pozicioneve që kanë patur apo kanë Dragusha dhe Bekteshi. Kandidatja e parë, Dragusha, mban postin e rektores, edhe pse e komanduar nga ministrja e Arsimit pas dorëheqjes së rektorit Tonin Gjuraj.
Nga ana tjetër, Bekteshi ka statusin e ish- rektorit të UNISHK. Pra, përmbushjen e kritereve e ka tashmë të zyrtarizuar me kandidim dhe fitoren si rektor në vitin 2016 për një mandat 4- vjeçar. Po ashtu, katër vite më pas, përmes rikandidimit përballë Suzana Golemit sërish për rektor, edhe pse humbi, tregoi se i përmbushte kriteret edhe në vitin 2020.
Që të dy kandidatët, janë prej shumë vitesh pedagogë në këtë IAL, me pozicione të rëndësishme administrative, përveç detyrës së rektorit që Dragusha e mban prej disa muajsh, ndërsa Bekteshi e mbajti për një mandat të plotë. Pra, nuk vijnë jashtë stafit akademik të UNISHK, siç ishte përshembull rasti i ish- rektorit Gjuraj në vitin 2024.
Nëse KIZ po përpiqet të gjejë “halën në përpeq”, siç është shprehja e njohur në Shkodër, atëherë direkt apo indirekt po ndërhynë në këtë garë, teksa pozicioni i tij, duhet të jetë i ftohtë: Thjesht dhe vetëm arbitër! Vetëm kështu mund të aludohet meqë është njoftuar jo zyrtarisht se të shtunën, ditë pushimi si Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, KIZ-i do të mblidhet për të shqyrtuar përmbushjen e kritereve të kandidimit për garën për rektor të 14 dhjetor 2026. Ndërhyrja në hapin e parë të këtij procesi, do të cënonte gjithë vijimësinë e tij e duke vënë në dyshim, legjitimitetin e rektorit të zgjedhur. Pas të gjitha situatave që kjo IAL kaloi deri disa muaj më parë, një skenar i tillë do ta cënonte edhe më shumë imazhin dhe dinjitetin e tij.
Po ashtu. një garë pa alternativë, nuk i sherben as vetë UNISHK-ut, as arsimit të lartë, as Shkodrës, as opinionit publik e as rektorit që do të zgjidhej në përmbyllje të saj, aq më tepër, për më pak se një gjysmë mandati, aq sa ka mbetur për të përmbyllur atë që nisi rektori Gjuraj. Aq më tepër, kur në disa zgjedhje radhazi, ka patur garë të vertetë dhe fituesi është shpallur me diferencë votash më të vogël se gishtat e duarve. /ShkodraWeb/




