Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas vendimit të gjykatës, e cila ka konstatuar si të paligjshëm ndalimin e deputetëve të opozitës nga strukturat e sigurisë për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit.
Në një reagim publik, Bardhi e cilësoi vendimin si konfirmim të shkeljes së të drejtave kushtetuese të përfaqësuesve të zgjedhur, duke akuzuar mazhorancën se po pengon ushtrimin e funksionit të opozitës në Parlament.
Demokrati e lidhi këtë situatë me qeverisjen e Edi Ramës, të cilën e akuzoi për tendenca drejt kontrollit të institucioneve dhe përjashtimit të zërit opozitar nga jeta parlamentare.
Bardhi paralajmëroi gjithashtu përgjegjësi ligjore për personat që firmosën vendimin për pengimin e deputetëve, duke përmendur Ulsi Manjën, Arkend Ballën dhe Saimir Hasallën.
“Firmat dhe veprimet e tyre nuk i vendosin mbi ligjin. Përgjegjësia për çdo shkelje të ligjit dhe çdo shpërdorim të detyrës do të hetohet dhe do të marrë përgjigjen që meriton përpara drejtësisë”, deklaroi Bardhi.
Në përfundim, deputeti demokrat theksoi se opozita nuk do të tërhiqet nga përfaqësimi i qytetarëve dhe ushtrimi i të drejtave të saj parlamentare.
POSTIMI I PLOTE
Ndalimi arbitrar dhe me forcën e strukturave të sigurisë i deputetëve të opozitës për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit u konstatua sot nga gjykata si i paligjshëm. Ky vendim konfirmon se pengimi i përfaqësuesve të zgjedhur për të ushtruar të drejtën dhe përgjegjësinë e tyre kushtetuese nuk është thjesht një akt arbitrar, por një shkelje që cenon drejtpërdrejt demokracinë dhe shtetin e së drejtës.
Praktika të tilla antidemokratike janë të papranueshme për një vend që pretendon të jetë në rrugën e integrimit europian. Shqipëria, nën qeverisjen e Edi Ramës, është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian në letër, por sjellja e kësaj qeverie dëshmon një mentalitet politik që i përket një kohe tjetër: kohës së partisë-shtet, ku pushteti kërkon të kontrollojë gjithçka dhe opozita trajtohet si armik, jo si pjesë thelbësore e demokracisë.
Nuk habitem aspak nga kjo sjellje e shumicës parlamentare. Projekti politik i Edi Ramës duket se është një Kuvend pa opozitë, një pushtet pa zë kritik dhe një Shqipëri e nënshtruar ndaj vullnetit të një njeriu të vetëm. Por demokracia nuk është pronë e kryeministrit dhe Kuvendi nuk është oborri i tij personal!
Ulsi Manja, Arkend Balla dhe Saimir Hasalla, tre firmëtarët e vendimit për pengimin e paligjshëm të deputetëve të opozitës, duhet ta kuptojnë se firmat dhe veprimet e tyre nuk i vendosin mbi ligjin. Përgjegjësia për çdo shkelje të ligjit dhe çdo shpërdorim të detyrës do të hetohet dhe do të marrë përgjigjen që meriton përpara drejtësisë.
Le të mos kenë asnjë iluzion: pushteti është i përkohshëm, ndërsa përgjegjësia përpara ligjit mbetet. Dhe historia politike e Edi Ramës ka treguar se ata që sot përdoren për të zbatuar urdhrat e tij, nesër braktisen si leçkë prej tij. Askush nuk duhet të mendojë se do të mund të fshihet përgjithmonë pas urdhrit politik për t’iu shmangur përgjegjësisë ligjore.
Opozita nuk do të intimidohet, nuk do të heshtë dhe nuk do të heqë dorë nga e drejta për të përfaqësuar qytetarët. Kuvendi i Shqipërisë nuk është pronë e Edi Ramës dhe demokracia shqiptare nuk mund të vihet në shërbim të pushtetit të tij!