E premte, 27 Nëntor 2026 Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kronikë

Rrëmbimi dhe vrasja e Renis Dobrës, GJKKO kalon për gjykim dosjen ndaj katër të pandehurve

Gjykata e Posaçme ka vendosur të kalojë për gjykim dosjen e rrëmbimit dhe vrasjes së 22-vjeçarit Renis Dobra.

Katër autorët e dyshuar, Fation Bushgjokaj, Petrit Hoxha alias Petrit Çakraj, Kristë Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj do të përballen me drejtësinë për ngjarjen e ndodhur më 8 korrik 2025 tashmë në rrugë gjyqësore.

Sipas hetimeve, autorët e dyshuar kishin organizuar ndjekjen e 22-vjeçarit, duke përdorur disa automjete. Përmes analizimit të kamerave të sigurisë, të dhënave telefonike dhe GPS-ve, SPAK rindërtoi lëvizjet e automjeteve në zonën e Urës së Matit, Burrelit dhe aksin Klos-Zenisht.

Dyshohet se Renis Dobra është rrëmbyer, dhunuar dhe më pas vrarë, ndërsa trupi i tij dhe automjeti janë hedhur në liqenin e Ulzës, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit.

Reklamë

Katër të pandehurit akuzohen për rrëmbim ose mbajtje peng të personit, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale në kuadër të tij.

Sa i përket motivit të krimit, pista e parë hetimore lidhej me një konflikt të mundshëm për çështje droge në Gjermani, mes viktimës dhe personave të dyshuar.

Megjithatë, hetimet kanë ngritur edhe dyshime për një vrasje të porositur nga burgu, si dhe për konflikte të mundshme brenda rrethit familjar.

Deri më tani, motivi përfundimtar dhe personi që mund të ketë porositur ekzekutimin e 22-vjeçarit mbeten të paqartë. Familjarët e viktimës kanë shprehur bindjen se pas krimit mund të fshihen edhe persona të tjerë.

NJOFTIMI:

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 07.10.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të procedimit penal nr. 181, të vitit 2025, me të pandehur Fation Lulash Bushgjokaj, Petrit Ramiz Hoxha alias Petrit Çakraj, Kristë Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj.”.

 2. Në seancën e datës 27.11.2026 (seanca paraprake), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, me vendimin nr. 157, datë 27.11.2026, vendosi:  1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. 2. Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal me nr. 181, të vitit 2025, në ngarkim të të pandehurve: 

1. Fation Bushgjokaj, i cili akuzohet për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 109/3, 28/4, 333/a/2 dhe 334/2 të Kodit Penal.

2. Petrit Hoxha alias Petrit Çakraj, i cili akuzohet për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 109/3, 28/4, 333/a/2 dhe 334/2 të Kodit Penal.

3. Kristë Bushgjokaj, i cili akuzohet për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 109/3, 28/4, 333/a/2 dhe 334/2 të Kodit Penal.

4. Aleksandër Bushgjokaj, i cili akuzohet për veprat penale “Rrëmbimi Rruga “Jordan Misja” nr.1, 1057 Tiranë; tel/fax 0422225075; gjykata.gov.al ose mbajtja peng e personit”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 109/3, 28/4 dhe 333/a/2 dhe 334/2 të Kodit Penal. 3. Dërgimin e çështjes për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për t’u hedhur në short.  4. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.