Qindra mijëra njerëz në Shtetet e Bashkuara kanë mbetur pa energji elektrike, pasi stuhi të forta goditën të dy brigjet e vendit gjatë festës së Thanksgiving.
Në bregun lindor, një stuhi e fuqishme përfshiu zonat të enjten, duke sjellë erëra të forta, reshje intensive dhe përmbytje në zonat bregdetare. Pensilvania ishte shteti më i prekur nga ndërprerjet e energjisë elektrike në orët e para të së premtes, sipas faqes monitoruese Poweroutage.us.
Meteorologët parashikojnë përmirësim të kushteve atmosferike, megjithëse paralajmërojnë se rikthimi në normalitet do të kërkojë kohë. Edhe bregu perëndimor është përballur me stuhi të tjera, duke shkaktuar probleme të shumta.
Vështirësitë në transportin ajror vijojnë, me qindra vonesa dhe anulime fluturimesh të raportuara të premten, një ditë që pritet të jetë sërish e ngarkuar për udhëtimet.
Sipas FlightAware, të enjten u vonuan më shumë se 2,500 fluturime brenda, drejt ose nga SHBA-ja, ndërsa mbi 450 u anuluan.
Një pasagjer i tha BBC-së se kishte mbetur i bllokuar për 13 orë në aeroportin LaGuardia të Nju Jorkut, ndërsa përpiqej të udhëtonte drejt Çikagos për të kaluar Thanksgiving me miqtë.
Përtej problemeve në transport, pasojat e stuhive u ndjenë në një pjesë të gjerë të bregut lindor. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se do të shqyrtonte mundësinë e akordimit të fondeve emergjente.
Në Maryland, disa ura u mbyllën për shkak të erërave të forta, ndërsa dallgët goditën plazhet në Delaware dhe uji përmbyti zonat e shëtitoreve bregdetare.
Në Uashington, D.C., Thanksgiving u shënua nga reshjet më të shumta të regjistruara ndonjëherë për këtë festë. Ujërat e baticës u rritën dhe përmbytën pistat e aeroportit Reagan Washington National.
Disa zona të shteteve amerikane janë shpallur në gjendje emergjence, përfshirë Nju Jorkun. Në Central Park të Nju Jorkut ranë afro 5 centimetra reshje, duke e bërë këtë Thanksgiving më të lagësht të regjistruar në atë zonë, sipas të dhënave paraprake të Shërbimit Kombëtar të Motit.
Organizatorët e paradës së përvitshme Macy’s në Nju Jork vendosën gjithashtu ta shtyjnë aktivitetin për të shtunën. Kjo është shtyrja e parë në historinë 100-vjeçare të paradës.
Në shtetin fqinj të Nju Xhersit u raportuan disa rrugë dhe ura të mbyllura, ndërsa pamjet treguan rrugë të qyteteve të mbuluara nga uji. Një bloger nga Ocean City, Nju Xhersi, e përshkroi situatën si të pazakontë, ndërsa në një video të publikuar në rrjetet sociale shihej duke ecur në ujë që i kalonte nivelin e belit.
