Përfaqësuesja e Partisë “Mundësia”, Frida Mavriqi, deklaroi në një intervistë për News24 se protestat kundër qeverisë do të vijojnë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama pas skandaleve të njëpasnjëshme.
Mavriqi e cilësoi protestën si një formë demokratike të reagimit qytetar, ndërsa u shpreh se kryeministri, përveç dorëheqjes, rrezikon të përballet edhe me përgjegjësi ligjore.
Duke komentuar qëndrimet e ndërkombëtarëve dhe thirrjet për dialog, përfshirë ato të komisioneres europiane Marta Kos, përfaqësuesja e Mundësisë deklaroi se dialogu nuk mund të zhvillohet me një kryeministër që ajo e akuzoi për korrupsion.
Mavriqi foli edhe për zgjedhjet e ardhshme vendore, duke bërë të ditur se Partia Mundësia mbështet bashkimin e opozitës, por me kushtin që kandidati të vijë nga protesta dhe të jetë një figurë gjithëpërfshirëse.
Sipas saj, qytetarët po protestojnë kundër klasës së vjetër politike dhe opozita duhet të marrë në konsideratë një kandidaturë që buron nga lëvizja qytetare.
Gjatë intervistës, ajo komentoi edhe përplasjet brenda Partisë Socialiste, veçanërisht qëndrimet e Elisa Spiropalit. Mavriqi e cilësoi situatën si një luftë të brendshme për pushtet dhe kërkoi që Spiropali, nëse ka dijeni për raste korrupsioni apo vjedhjeje, t’i bëjë publike me emra dhe fakte.
“Protesta është një formë shumë e mirë dhe shumë demokratike në një vend ku demokracia duhet të funksionojë. Kryeministri duhet të japë dorëheqjen, pas skandaleve që shohim dita ditës. Por ai rrezikon të përballet edhe me ligjin përballë dorëheqjes. Ndërkombëtarët patjetër që do thonë që dialogu është forma më e mirë. Dhe Marta Kos deri aty i takon të shkojë dhe të flasë politikisht korrekt. Por nuk dialogohet me një kryeministër të tillë. Por ndoshta Marta nuk e njeh politikën tonë të brendshme sa e njohim ne shqiptarët, por nuk mund të dialogohet me një kryeministër të korruptuar. Partia Mundësia ka dalë me deklaratë të hapur në mbështetje të plotë të një kandidati të dalë nga protesta. Ne si parti jemi por bashkimit të opozitës në këto zgjedhje bashkiake por me një kandidat të dalë nga protesta. Populli proteston kundër klasës së vjetër politike dhe ne nuk mund të mbështesim një kandidat të dalë nga një parti tjetër opozitare sepse njerëzit nuk e duan atë. Ndaj ne do të vlerësojmë produktin e dalë nga protesta, dhe një kandidaturë gjithëpërfshirëse që përbashkon të gjithë opozitën. Që nuk ka demokraci brenda PS, nuk presim që të na e thoshte Elisa. Detajet që ka thënë Spiropali janë thënë për vite me radhë. Nuk tha asnjë gjë që shqiptarët nuk e dinim. Nëse vërtet Spiropali e ka të vërtetë rebelizmin të dalë të protestojë. Me deklarata boshe ne jemi mësuar. Kur preken interesa personale kanë reaguar dhe të tjerë. Unë e shoh si luftë të brendshme. Se kush do fitojmë midis pushtetit të Belindës dhe Spiropalit këtë do e shohin vetë. Por Spiropali në ka dijeni për vjedhje korrupsion të dalë të flasë me emra”, tha ajo.
