Nga Kim Mehmeti
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, me plot guxim e përbuzje, u tha shqiptarëve të kësaj republike se arsimimi i lartë në gjuhën shqipe qenka një ‘implant’ ligjor, të cilin nuk e lejon Kushtetuta.
Ai e tha këtë mbase pse shqiptarët e këtushëm i barazon me drejtuesit e BDI-së dhe të VLEN-it, të cilët, posa i punëson dhe i paguan shtrenjtë si ‘burrështetas’ ata aq verbërohen sa nuk e shohin se nuk janë ulur as në kolltukun e kryeparlamentarit, as në atë të ministrave, por në prehrin e qarqeve politike e policore maqedonase.
Kryeministri i Maqedonisë është përbuzës ndaj shqiptarëve, sepse e sheh se si i jargaviten dy kryeministrat shqiptarë, të cilët, kur vjen ai i Prishtinës, ikën ky i Tiranës, që të mos takohen mes vete e të mos shihet se as që u intereson fati i shqiptarëve të Maqedonisë dhe se janë turpi i shqiptarësisë.
Në të vërtetë, duke qenë se Maqedonia e Veriut është pjesë e ‘Botës Serbe’, kryeministri i saj bën atë që ia thotë Beogradi: ta mbajë gjallë konfliktin ndëretnik dhe, sa herë që i jepet mundësia, të dëshmojë se vendi i tij kishte dhe ka vetëm një armik të natyrshëm – shqiptarët.
Pastaj, kryeministri i Maqedonisë duhet ta mbajë vendin sa më larg BE-së, sepse vetëm kështu mund t'i mbrojë oligarkët që u pasuruan duke plaçkitur pronën shtetërore dhe që sot drejtojnë sipërmarrje siç është për shembull ‘Birraria e Shkupit’, kompani që do të ‘cofnin’ ditën kur do të duhej të përballeshin me konkurencën e tregut evropian.
Sidoqoftë, të jesh pjesë e një populli dhjetëmilionësh që ka dy shtete të pavarura, të jesh tridhjetë për qindshi i popullsisë së vendit dhe të të tallet me ty kryeministri i një populli me probleme identitare, atëherë më mirë do të ishte që Maqedonia e Veriut të shpallej me Kushtetutë si shtet që u përket vetëm atyre që vetveten e quajnë maqedonas dhe ku nuk ka shqiptarë të gjallë!
© SYRI.net
‘Rinia në qendër të ripërtëritjes së PD-së’/ Gjinaj: Shqipëria nuk ka luks të humbasë më asnjë brez të rinjsh!
VIDEO/ Studentja e Mjekësisë, Albana Gjika: Ne nuk jemi thjesht e ardhmja e Shqipërisë, ne jemi e tashmja e saj!
Dhimitër Vata: 13 vite presione nuk i përkulën demokratët, Kamza do t’i kthehet PD-së më 9 maj 2027!