Close Menu
Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    Lajmet e fundit

    Mbrojtje fizike për drejtuesit dhe punonjësit e AMSEVP-së, qeveria miraton rregullat kur kërcënohen për shkak të detyrës

    Dëmet nga dhuna në protesta, qeveria miraton aktin normativ: Shteti kompenson të dëmtuarit dhe u kërkon paratë përgjegjësve

    “Mjaft me përdorimin e emrit tim për klikime”, Xhensila Myrtezaj reagon pas dërgimit në gjyq për mbi 6 milionë lekë evazion të dyshuar fiskal

    Facebook X (Twitter) Instagram
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    • Aktualitet
      • Aktualitet
      • Politike
      • Ekonomi
      • Sociale
      • Fokus
    • Opinion
    • Lifestyle
      • Showbiz
      • Udhetim & Turizëm
      • Kulturë
      • Shëndet
      • Horoskopi
      • Dekor
      • Trende
      • Teknologji
    • Botë
      • Kosovë
      • Rajon
      • Botë
    • Sport
    • Troç
    Youtube
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    You are at:Home » Dëmet nga dhuna në protesta, qeveria miraton aktin normativ: Shteti kompenson të dëmtuarit dhe u kërkon paratë përgjegjësve
    Aktualitet

    Dëmet nga dhuna në protesta, qeveria miraton aktin normativ: Shteti kompenson të dëmtuarit dhe u kërkon paratë përgjegjësve

    November 27, 2026

    Këshilli i Ministrave ka miratuar aktin normativ që përcakton mënyrën e kompensimit të dëmeve materiale të shkaktuara nga aktet e dhunës gjatë tubimeve, duke parashikuar që shumat e paguara fillimisht nga shteti të rikuperohen më pas nga personat përgjegjës.

    Rregullat e reja zbatohen për tubimet në vende publike ose të hapura për publikun, pavarësisht nëse ato janë të njoftuara, të ndaluara apo spontane. Në këtë kategori përfshihen edhe tubimet që zhvillohen gjatë veprimtarive sportive, kulturore apo festive.

    Sipas aktit normativ, askush nuk mund të mbajë përgjegjësi vetëm për faktin se ka marrë pjesë në një tubim. Përgjegjësia lind nga veprimet ose mosveprimet konkrete të individit apo organizatës, përfshirë organizimin dhe nxitjen e akteve të dhunës, si dhe kryerjen e tyre.

    Në të njëjtën kohë, akti përcakton se zbatimi i këtyre rregullave nuk cenon lirinë e tubimit paqësor dhe as përgjegjësinë e shtetit për dëmet që mund të shkaktohen nga organet e tij. Interpretimi dhe zbatimi i tij duhet të bëhet në mënyrë që ndërhyrja në lirinë e tubimit paqësor dhe atë të shprehjes të jetë sa më e kufizuar.

    Në bazë të këtij mekanizmi, shteti mund të kompensojë paraprakisht, plotësisht ose pjesërisht, dëmet e shkaktuara ndaj pronës së personave fizikë dhe të subjekteve juridike me aktivitet tregtar me të ardhura vjetore nën 14 milionë lekë. Kompensimi parashikohet vetëm për pasuritë e pasiguruara.

    Në rastet kur prona është e siguruar, dëmi mbulohet nga shoqëria e sigurimit, sipas kontratës përkatëse, e cila më pas mund të ushtrojë të drejtën e regresit ndaj personit që e ka shkaktuar. Nëse sigurimi nuk mbulon dëmet nga trazirat, tubimet apo aktet e dhunshme, pasuria konsiderohet e pasiguruar për qëllimet e këtij akti normativ. Kur mbulimi është i pjesshëm, pjesa e mbetur e dëmit mund të kompensohet nga shteti.

    Kompensimi mund të kryhet edhe kur nuk është arritur të identifikohet autori i dëmit. Personi i dëmtuar që pranon shumën e paguar nga shteti konsiderohet i shpërblyer deri në vlerën e kompensimit dhe nuk mund ta kërkojë sërish të njëjtën shumë nga autori. Megjithatë, ai ruan të drejtën të kërkojë në rrugë civile pjesët e tjera të dëmit që nuk janë mbuluar nga ky mekanizëm.

    Pas kryerjes së kompensimit, institucioni përkatës dhe Policia e Shtetit duhet t’i vënë në dispozicion Avokaturës së Shtetit dokumentacionin për pagesën dhe të dhënat për identifikimin e personave përgjegjës.

    Avokatura e Shtetit do t’i kërkojë subjektit të identifikuar si shkaktues i dëmit që të kthejë vullnetarisht shumën e paguar nga shteti. Nëse pagesa nuk kryhet brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës dhe personi nuk zgjedh të lidhë një marrëveshje restauruese, Avokatura e Shtetit mund të ngrejë padi regresi për rikuperimin e shumës së kompensuar.

    Rregulla të veçanta parashikohen edhe për dëmet ndaj pasurisë publike dhe shtetërore. Në këto raste, Avokatura e Shtetit kërkon shpërblimin e dëmit në emër dhe për llogari të institucioneve të prekura. Policia dhe institucionet përkatëse duhet të dorëzojnë të dhënat për autorët, dokumentacionin mbi dëmtimet dhe vlerësimin financiar të tyre.

    Edhe për këto raste, personit përgjegjës i kërkohet fillimisht pagesa vullnetare. Nëse detyrimi nuk shlyhet brenda 30 ditëve dhe nuk lidhet një marrëveshje restauruese, Avokatura e Shtetit ngre padi për shpërblimin e dëmit, në përputhje me Kodin Civil.

    Akti normativ parashikon gjithashtu përgjegjësi solidare të organizatave ose individëve që kanë zhvilluar, drejtuar dhe organizuar tubimin, së bashku me autorët e dëmit. Ky rregull nuk zbatohet nëse provohet se veprimet e dhunshme nuk janë nxitur prej tyre dhe se organizatorët nuk kanë pasur mundësi t’i parandalojnë.

    Një tjetër mekanizëm i parashikuar është shlyerja e detyrimit përmes punës në interes publik. Avokatura e Shtetit mund të lidhë marrëveshje me debitorin që detyrimi të shlyhet plotësisht ose pjesërisht në këtë mënyrë.

    Për të miturit, marrëveshja mund të lidhet vetëm me pëlqimin e prindërve dhe pasi të dëgjohet njësia për mbrojtjen e fëmijës. Puna duhet të jetë e përshtatshme për moshën, të mos pengojë shkollimin dhe të respektojë kufizimet ligjore për punësimin e fëmijëve. Vlera e saj nuk mund të jetë më e lartë se shuma e detyrimit.

    Në aktin normativ parashikohet edhe një garanci për personat ndaj të cilëve është kërkuar rikuperimi i dëmit. Nëse më vonë ndaj tyre merret një vendim gjyqësor i formës së prerë për pafajësi, ose vendoset mosfillimi apo pushimi i procedimit penal apo i çështjes, për shkak se provohet se nuk e kanë kryer veprën, Avokatura e Shtetit heq dorë nga gjykimi i padisë.

    Akti normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”.

    demet protesta qeveria
    Share. Facebook WhatsApp
    Demo
    Postimet e reja

    Mbrojtje fizike për drejtuesit dhe punonjësit e AMSEVP-së, qeveria miraton rregullat kur kërcënohen për shkak të detyrës

    November 27, 2026

    Dëmet nga dhuna në protesta, qeveria miraton aktin normativ: Shteti kompenson të dëmtuarit dhe u kërkon paratë përgjegjësve

    November 27, 2026

    “Mjaft me përdorimin e emrit tim për klikime”, Xhensila Myrtezaj reagon pas dërgimit në gjyq për mbi 6 milionë lekë evazion të dyshuar fiskal

    November 27, 2026

    Lista Studentore zgjedh një akademik për president të Serbisë, premton rikthimin e institucioneve të pavarura

    November 27, 2026
    Mos e humb
    Aktualitet October 16, 2026

    Kaos në aeroportin e Rinasit administruar nga Kastrati! 10 fluturime të anuluara drejt Italisë, pasagjerët pa informacion

    Kaos dhe pakënaqësi në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, i cili administrohet nga Kastrati Group, ku…

    Çfarë pritet? Ilegaliteti “ngrin” prej 10 ditësh në Shqipëri! Mbyllen bastet dhe Call Centerat, bien transaksionet me Kriptomonedha

    Dosja/ Biznesmeni Meqemeja i dha Ahmetajt 140 mijë euro! SPAK: Shpërblim për Inceneratorin e Fierit përmes shitjeve fiktive

    ALERT në Slloveni për VIPA Flips të Kosovës, kanë përmbajtje të alergjenësh. Produkti hiqet nga tregu

    Na ndiq
    • Facebook
    • Instagram
    • YouTube
    • TikTok
    RRETH NESH
    RRETH NESH

    Një shikim i thellë në botën e lajmeve, ku teknologjia dhe profesionalizmi takohen për të sjellë lajmet më të fundit dhe të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një burim i besueshëm për informacionin e saktë dhe analizat gjithëpërfshirëse.

    NIPT: M47705501A
    Email: radarlajme@gmail.com
    Kontakt: +355689008000

    HOROSKOPI

    Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

    Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

    Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

    Aleanca Etike e Medias
    © Radar.al. dizenjuar nga 1001solutions

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.