
Shqipëria përgatitet të kremtojë 114-vjetorin e Pavarësisë, dhe në Tiranë është paralajmëruar zhvillimi i një proteste kombëtare antiqeveritare. Grupimet organizatore duket se nuk kanë ende një qëndrim të unifikuar për orarin e nisjes dhe kohëzgjatjen e tubimit.
Përfaqësues të të ashtuquajturit “Revolucioni Flamingo” kanë njoftuar grumbullimin e protestuesve në orën 10:00 në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë. Sipas tyre, protesta pritet të shtrihet përgjatë dy ditëve, më 28 dhe 29 nëntor, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e vijimit të saj edhe gjatë natës.
Ndërkohë, grupime që deklarojnë se përfaqësojnë studentët kanë bërë thirrje për mobilizim në orën 12:00, duke parashikuar zhvillimin e protestës vetëm gjatë 28 nëntorit.
Kryeministri Edi Rama do të ndodhet në Vlorë, ku, sipas traditës së viteve të fundit, do të marrë pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit kombëtar, në orën 10:00.
Opozita ka shprehur mbështetjen e saj për protestën kombëtare, por deri më tani nuk ka bërë publik ndonjë program zyrtar për kremtimin e festave të Nëntorit.
Tradicionalisht, opozita i kremton Pavarësinë dhe Çlirimin në të njëjtën datë, më 28 nëntor.