Shqipëria pritet të ketë një ligj të posaçëm për transplantimin e organeve, me rregulla më të forta për gjurmimin, monitorimin e dhuruesve dhe ndëshkimin e shkeljeve.
Projektligji, i hedhur për konsultim publik nga Ministria e Shëndetësisë, synon të ndajë transplantimin e organeve nga ai i indeve dhe qelizave, të cilat aktualisht rregullohen nga i njëjti ligj i vitit 2011.
Sipas draftit, çdo organ do të gjurmohet nga dhuruesi te marrësi dhe anasjelltas, ndërsa të dhënat do të ruhen për të paktën 30 vjet. Parashikohet gjithashtu krijimi i një sistemi kombëtar identifikimi dhe i Regjistrit të Dhuruesve të Gjallë, me monitorim të gjendjes së tyre shëndetësore edhe pas dhurimit.
Dhurimi do të mbetet vullnetar dhe pa pagesë, por do të lejohet rimbursimi i shpenzimeve që lidhen drejtpërdrejt me të, pa përfitim ekonomik. Një risi tjetër është sistemi i raportimit dhe hetimit të komplikacioneve serioze që mund të shfaqen gjatë ose pas transplantimit.
Drafti parashikon edhe ashpërsimin e masave për shkelësit. Ndryshe nga ligji aktual, që parashikon gjoba deri në 1 milion lekë, projektligji i ri i ndan shkeljet në tri kategori, sipas rëndësisë, dhe parashikon penalitete deri në 3 milionë lekë.
Shkeljet e rënda përfshijnë transplantimin pa autorizim, mungesën e gjurmueshmërisë dhe mosraportimin e komplikacioneve. Në kategorinë e shkeljeve shumë të rënda përfshihen marrja ose transplantimi i organeve pa pëlqimin e dhuruesit, cenimi i shëndetit të tij dhe tregtia e paligjshme e organeve.
Përveç gjobave, parashikohet pezullimi i autorizimit të qendrave deri në 12 muaj, revokimi përfundimtar i tij dhe ndalimi i ushtrimit të profesionit për personat përgjegjës deri në 3 vjet.
Projektligji përcakton gjithashtu rregulla për shkëmbimin ndërkombëtar të organeve dhe informacionit mes autoriteteve të vendeve të përfshira.







Komente
Komento