Një i ri shqiptar ka humbur jetën pas një përplasjeje me armë zjarri mes tre personave dhe forcave të policisë italiane, në zonën e San Pietro di Cavarzere, në provincën e Venecias.

Sipas mediave italiane, efektivët kishin mbërritur nga rajoni i Kampanias për të ekzekutuar dy urdhër-arreste. Gjatë ndërhyrjes, situata është përshkallëzuar në shkëmbim zjarri, ku njëri prej personave që ishte në kërkim mbeti i vdekur.

Një tjetër person që ndodhej në banesë u arrestua nga policia, ndërsa i treti, gjithashtu i kërkuar dhe i armatosur, arriti të largohej nga vendi i ngjarjes.

Ai dyshohet se është fshehur në zonat fushore përreth banesës së izoluar, ku tre personat kishin gjetur strehim.

Pas arratisjes, autoritetet italiane kanë vënë në lëvizje një operacion të gjerë për kapjen e tij. Në kërkime është përfshirë edhe një helikopter i policisë.