Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj Shteteve të Bashkuara, duke kritikuar presidentin Donald Trump për deklaratat e tij miqësore ndaj Vladimir Putinit. Në një intervistë për BBC-në, Zelensky tha se është e papranueshme që presidenti rus të cilësohet si mik, ndërsa vendi i tij vazhdon luftën kundër Ukrainës.

“Putini është agresor dhe vrasës. Ai nuk mund të jetë mik. Thjesht nuk mundet”, deklaroi Zelensky, duke e krahasuar një qëndrim të tillë me miqësinë me Adolf Hitlerin gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjatë intervistës në zyrën e tij në Kiev, presidenti ukrainas kritikoi gjithashtu SHBA-në për atë që e konsideron si mungesë presioni ndaj Moskës në negociatat për përfundimin e luftës. Ai tha se e sheh si të çuditshme edhe fotografinë e publikuar nga Trump, ku ky i fundit shfaqej duke përqafuar Putinin.

Marrëdhëniet mes Zelenskyt dhe Trumpit kanë qenë të tensionuara që prej përplasjes së tyre në Zyrën Ovale në vitin 2025. Ndërkohë, përfaqësuesit amerikanë po përpiqen të ndërmjetësojnë një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, por Kievi ka shprehur shqetësimin se qëndrimet e tyre në negociata shpesh duken më pranë Moskës.

Raundi i fundit i bisedimeve, i zhvilluar në Abu Dhabi në fillim të këtij muaji, nuk solli përparim të dukshëm. “Sa më shumë mësojmë, aq më shumë probleme dalin”, u shpreh Zelensky, duke bërë të ditur se negociatat pritet të rifillojnë në dhjetor.

Nga ana tjetër, Trump ka deklaruar se beson se një marrëveshje paqeje me Ukrainën është e mundur. I pyetur për marrëdhënien me Putinin, ai tha se synimi i tij është të ndalojë vrasjet dhe të arrijë një marrëveshje, duke shtuar se problemi kryesor mbetet armiqësia mes dy liderëve.

Një tjetër shqetësim i madh për Ukrainën është mungesa e raketave për mbrojtjen ajrore. Zelensky tha se vendi po përballet me mungesë të madhe të raketave interceptuese për të ndalur sulmet balistike ruse dhe akuzoi SHBA-në për vonesa në dërgimin e sistemeve Patriot.

Ai shprehu keqardhje që Uashingtoni po i kushton më shumë vëmendje Lindjes së Mesme, duke theksuar se mungesa e këtyre raketave përkthehet drejtpërdrejt në humbje jetësh.

“Mungesa e këtyre raketave do të thotë jetë njerëzish”, deklaroi presidenti ukrainas.

Ndërkohë, sulmet ruse ndaj qyteteve ukrainase po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe vdekjeprurëse. Raketa balistike dhe dronë po godasin infrastrukturën energjetike, urat dhe objektiva të tjera, duke e bërë jetën e përditshme gjithnjë e më të vështirë për banorët.

Zelensky bëri të ditur se ushtria ukrainase arrin të shkatërrojë rreth 70% të dronëve më të shpejtë rusë, por pranoi se mbrojtja kundër raketave balistike mbetet një problem serioz.

Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për kufizimet në përdorimin e sistemit satelitor amerikan Starlink dhe versionit të tij ushtarak Starshield në zonat e pushtuara të Ukrainës. Sipas tij, kjo situatë po krijon vështirësi për njësitë ukrainase që përdorin dronë për të ndaluar sulmet ruse.

I pyetur se kush është përgjegjës për kufizimet, Zelensky tha se teknikisht vendimi lidhet me kompaninë SpaceX, ndërsa për përgjegjësinë politike nuk dha një përgjigje të qartë.

Në të njëjtën kohë, Ukraina ka shtuar sulmet me dronë me rreze të gjatë veprimi ndaj objektivave në Rusi, duke goditur rafineri nafte dhe anije që transportojnë armë e karburant. Zelensky mbrojti edhe sulmin ndaj një anijeje luftarake ruse të ankoruar në Libinë lindore, duke e cilësuar atë një objektiv të ligjshëm.

Presidenti ukrainas paralajmëroi gjithashtu se vendi po përgatitet për një dimër të vështirë. Sulmet e fundit ruse kanë goditur edhe urat mbi lumin Dnipro në Kiev, duke rritur shqetësimet për izolimin e pjesëve të qytetit.

Ndërprerjet e energjisë elektrike dhe dëmtimi i rrjeteve të transportit e furnizimit kanë detyruar disa banorë të largohen nga kryeqyteti, ndërsa disa biznese kanë mbyllur aktivitetin për shkak të kostove të larta.

Megjithatë, Zelensky tha se Ukraina nuk ka ndërmend të heqë dorë nga mbrojtja e Kievit.

“Rusia dëshiron që ne të largohemi. Njerëzit mund të largohen, por ne do të përpiqemi ta mbrojmë kryeqytetin tonë me çdo mjet. Ne kemi nevojë për kryeqytetin tonë. Pa një kryeqytet, nuk ke një shtet”, përfundoi ai.