Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se njëra nga veturat e përfshira në operacionin policor për sekuestrimin e 136 kilogramëve marihuanë në Kaçanik ngre dyshime për implikimin e një zyrtari policor në veprimtari kriminale.

Për këtë rast, Sveçla ka njoftuar se Inspektorati Policor i Kosovës është angazhuar për të hetuar dhe sqaruar plotësisht rrethanat, përfshirë dyshimet për përfshirjen e zyrtarit policor.


Operacioni është zhvilluar të premten në autostradën “Arbën Xhaferi”, në afërsi të Doganajt në Kaçanik, ku Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar dhe ka sekuestruar 136 kilogramë marihuanë.

Gjatë aksionit janë sekuestruar edhe tri vetura, një motor me katër rrota dhe 680 euro para të gatshme.

Sipas Sveçlës, gjatë operacionit njëra nga veturat e dyshuara ka tentuar t'i ikë Policisë, duke shkaktuar aksidente trafiku. Për ta ndaluar atë, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin edhe armët e zjarrit.

Ministri ka theksuar se lufta kundër narkotikëve do të vazhdojë pa kompromis, duke paralajmëruar se nuk do të tolerohet përfshirja e zyrtarëve policorë në veprimtari kriminale.

“Besimin e qytetarëve në Policinë e Kosovës do ta ruajmë dhe forcojmë përmes angazhimit të vazhdueshëm duke pastruar nga radhët e saj çdo individ të lidhur me krimin”, ka deklaruar Sveçla.

Ai ka shtuar se asnjë zyrtar nuk do të tolerohet të shkelë ligjin apo të përfshihet në veprimtari kriminale.