Durrësi kuqezi, atmosfera e festave ka shtuar edhe prenotimet në qytetin bregdetar

27/11/2026 20:02

Durrësi është veshur kuqezi për festat e 28 dhe 29 Nëntorit.

Atmosfera festive, vizitorët e shumtë dhe aktivitetet kulturore kanë gjallëruar qytetin bregdetar, ndërsa hotelet raportojnë rritje të rezervimeve.

Disa prej tyre kanë plotësuar tashmë kapacitetet akomoduese. Strukturat hoteliere kanë përgatitur mbrëmje festive, me muzikë dhe gatime tradicionale shqiptare.

“Nga komunikimet me operatoret turistikë prenotimet janë mbyllur dhe 80% janë nga Kosova, po ka dhe turistë nga vendet e tjera. Është një fundjavë e gjatë që na pret dhe kanë zgjedhur Durrësin të provojnë traditën dhe shijen durrsake, të njohin veshjet popullore, sepse strukturat hoteliere kanë marrë masat për program të pasur artistik, vec programit që ofron bashkia Durrës”, Floreta Kërtusha, Përgjegjësja e Turizmit në Bashki.

Përvecc mbrëmjeve festive dhe aktiviteteve, Durrësi fton vizitorët të zbulojnë edhe historinë e tij mijëravjeçare. Me rastin e festave kombëtare, muzetë dhe sitet arkeologjike janë të hapura pa pagesë, duke u ofruar qytetarëve dhe turistëve mundësinë të njihen nga afër me trashëgiminë historike të qytetit.

“Është hera e parë në Shqipëri dhe kënaqësi ta vizitojmë në këtë periudhë. Kemi vizituar shumë qytete. Historia, njerëzit dhe gatimet shqiptare janë ato që kemi zbuluar këto ditë këtu.”

Me flamujt kuq e zi në rrugë dhe shesh, Durrësi i përjeton këto ditë mes krenarisë kombëtare, traditës dhe mikpritjes. Dy data historike që i bashkojnë të gjithë, vendas e të huaj në festë, gjatë kësaj fundjave të gjatë.

 

Top Channel