Momente paniku janë regjistruar gjatë koncertit të reperit amerikan Don Toliver në Mançester të Britanisë së Madhe, ku më shumë se 12 mijë spektatorë u detyruan të largoheshin nga arena “Co-op Live”, pas përhapjes së një substance të panjohur mes turmës, për të cilën fillimisht u dyshua se mund të ishte gaz lotsjellës.
Sipas policisë, një grup kriminal i organizuar dyshohet se ka shfrytëzuar kaosin e krijuar për të kryer një seri vjedhjesh ndaj personave që ndodheshin në koncert. Ndërkohë, 88 persona kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore në vendngjarje.
“Një grup i vogël kriminalësh të organizuar shënjestroi persona mes turmës për të kryer një seri grabitjesh gjatë asaj mbrëmjeje”, bëri të ditur policia e Mançesterit, sipas raportimit të Sky News.
Zëvendësshefi i policisë, Tom Harding, deklaroi se autoritetet po punojnë për identifikimin e personave të dyshuar, si dhe për përcaktimin e substancës që dyshohet se u përhap mes spektatorëve.
“Po punojmë për të identifikuar të dyshuarit dhe substancën që besojmë se u lëshua mes turmës gjatë këtyre incidenteve. Hetimet po përparojnë me ritme të shpejta. Ka pasur incidente të ngjashme në dy koncerte të Don Toliver në Evropë, të cilat lidhen gjithashtu me hetimet tona. Jemi në kontakt me autoritetet policore të përfshira në këto çështje”, deklaroi Harding.
Deri më tani nuk është kryer asnjë arrestim, ndërsa policia po shqyrton pamjet e regjistruara nga telefonat celularë të spektatorëve dhe kamerat e sigurisë.
Duke falënderuar dëshmitarët që kanë bashkëpunuar tashmë me autoritetet, Harding tha se policia po përpiqet të kontaktojë edhe më shumë se 100 persona të tjerë që ndodheshin në koncert, me shpresën se mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.
Policia e cilësoi incidentin si një ngjarje të rëndë pak pas orës 22:00 të së dielës, pasi mori raportime se disa spektatorë kishin pësuar shqetësime nga një substancë e panjohur e lëshuar në ambientet e koncertit.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë njerëz që kolliten dhe mbulojnë gojën ndërsa largohen me nxitim nga arena.
Zëvendësshefi i policisë iu referua edhe ngjarjes tragjike të vitit 2017 në Mançester, duke theksuar se pamjet e incidentit të së dielës mund të rikthejnë kujtime të dhimbshme për qytetarët.
“Ajo që ndodhi të dielën në mbrëmje dhe pamjet që po transmetohen në televizione dhe në internet do të zgjojnë kujtime të dhimbshme nga viti 2017. Fatmirësisht, nuk kemi të bëjmë me një ngjarje të së njëjtës natyrë apo me të njëjtin motiv shkatërrues, megjithatë e kuptojmë ndikimin që mund të ketë shkaktuar ky incident”, u shpreh Harding.
Fillimisht, policia dyshoi se në turmë mund të ishte përdorur gaz lotsjellës, por më vonë autoritetet e përshkruan atë si një “substancë të panjohur”, ndërsa vijojnë hetimet për të përcaktuar përbërjen dhe rrethanat e ngjarjes.
