Komuniteti “Studentët n’Protestë” ka reaguar pas njoftimit për krijimin e forcës së re politike “Të Bashkuar për Shqipërinë”, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me këtë nismë dhe se nuk përfaqësohet nga asnjë subjekt politik.

Në reagimin e tyre publik, studentët rikujtojnë se prej 31 majit kanë mbështetur protestën dhe kërkesat e saj, duke theksuar se fryma e kësaj lëvizjeje qytetare shkon përtej ndasive partiake dhe bindjeve individuale.

Ata bëjnë të ditur se qëndrimi i komunitetit mbetet i pandryshuar edhe pas zhvillimeve të fundit dhe protestës së 13 tetorit. Sipas tyre, çdo individ është i lirë të ndërmarrë iniciativa politike, por askush nuk duhet ta bëjë këtë në emër të “Studentëve n’Protestë”.

Reagimi vjen një ditë pasi një grup studentësh, të rinjsh, pedagogësh dhe profesionistësh njoftuan krijimin e partisë “Të Bashkuar për Shqipërinë”.

Nisma e re politike deklaron se synon të mbështetet në parimet e drejtësisë, meritokracisë, transparencës dhe përgjegjshmërisë. Ndërkohë, ka nisur edhe procesi i mbledhjes së firmave për themelimin e saj.