Kongresi amerikan vë “në shënjestër” Ramën, Berishën dhe projektin e Kushnerit
Ndryshimi i përbërjes politike në Kongresin amerikan pritet të ndikojë edhe në mënyrën se si Uashingtoni do të trajtojë çështjet që lidhen me Shqipërinë. Pas fitores së demokratëve në të dyja dhomat, vëmendja mund të zhvendoset nga marrëdhëniet e lobimit dhe kontaktet politike drejt kërkesave zyrtare për dokumente dhe ushtrimit të kompetencave mbikëqyrëse.
Në qendër të këtij zhvillimi është projekti i resortit luksoz të Jared Kushnerit në Zvërnec, një investim që ka shkaktuar reagime dhe protesta në Shqipëri, ndërsa ka ngritur pikëpyetje mbi pronësinë e tokës, procedurat e ndjekura dhe rolin e institucioneve shtetërore.
Në një analizë të publikuar më 27 nëntor nga media amerikane “The Fulcrum”, Enio Jaço, ish-president i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, paralajmëron për një qasje të re të Kongresit ndaj Shqipërisë, të cilën e përshkruan si “Uashingtoni i dytë”. Sipas tij, kjo qasje nuk mbështetet te miqësitë politike apo kontratat e lobimit, por te dokumentet, kërkesat zyrtare dhe mekanizmat hetimorë.
Dy letra nga Uashingtoni, në fokus Kushneri dhe Balluku
Në analizën e tij, Jaço ndalet te dy ndërhyrje të ligjvënësve amerikanë, të cilat, sipas tij, nuk janë marrë seriozisht nga qeveria shqiptare.
E para është letra e kongresmenit demokrat Jamie Raskin drejtuar Jared Kushnerit, përmes së cilës i kërkohej dorëzimi i dokumenteve dhe komunikimeve me zyrtarët shqiptarë dhe amerikanë, si dhe materialeve që lidhen me miratimin e projektit të resortit në Zvërnec.
Kërkesa synonte të shqyrtonte nëse marrëveshjet dhe përfitimet e mundshme të lidhura me investimin mund të ngrinin çështje në kuadër të legjislacionit amerikan kundër korrupsionit jashtë vendit.
Kushner nuk iu përgjigj kërkesës brenda afatit të 7 shtatorit. Në atë periudhë, Raskin ishte pjesë e pakicës në Kongres dhe nuk dispononte kompetencat e nevojshme për ta detyruar atë të dorëzonte dokumentacionin.
Një tjetër letër iu drejtua sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, nga republikanët Joe Wilson dhe Keith Self. Ata kërkuan shqyrtimin e mundësisë për vendosjen e kufizimeve të vizave ndaj zyrtarëve shqiptarë të përfshirë në korrupsion.
Në këtë kërkesë përmendej edhe ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, ndaj së cilës SPAK ka ngritur akuza për korrupsion dhe manipulim të procedurave të tenderëve publikë.
“Korrupsioni dhe trafiku i narkotikëve të lidhur me qeverinë Rama duhet të luftohen”, citohet të jetë shprehur kongresmeni Wilson.
Sipas Jaços, fakti që kritikat kanë ardhur nga përfaqësues të të dyja partive kryesore amerikane e bën më të vështirë që ato të interpretohen vetëm si pjesë e një përplasjeje politike.
Rama dhe Berisha shpenzuan për të siguruar akses në Uashington
Një pjesë tjetër e analizës trajton mënyrën se si mazhoranca dhe opozita shqiptare kanë ndërtuar marrëdhëniet me politikën amerikane.
Sipas autorit, të dyja palët kanë ndjekur një strategji të ngjashme, duke investuar te kompanitë lobuese dhe kontaktet me figura të rëndësishme politike në SHBA.
Partia Socialiste e Edi Ramës ka angazhuar më herët kompaninë Ballard Partners, ndërsa lidhjet me rrethin e Donald Trump janë ndërtuar edhe përmes Jared Kushnerit dhe Richard Grenellit.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Sali Berishës ka kontraktuar Continental Strategy dhe Chris LaCivita për të forcuar pozitat e saj në Uashington.
Jaço kujton edhe heqjen në qershor të kufizimit të hyrjes në SHBA ndaj Berishës, i cili ishte shpallur non grata në vitin 2021 për korrupsion. Departamenti Amerikan i Shtetit e argumentoi vendimin me ekzistencën e një “interesi kombëtar bindës”.
Sipas analizës, pavarësisht rivalitetit të vazhdueshëm në politikën shqiptare, Rama dhe Berisha kanë ndarë bindjen se marrëdhëniet me Uashingtonin mund të menaxhohen përmes lidhjeve personale dhe lobimit.
Demokratët marrin drejtimin e komisioneve, Kushneri mund të përballet me kërkesa të reja
Nga janari, demokratët pritet të marrin drejtimin e komisioneve të rëndësishme në Dhomën e Përfaqësuesve. Jamie Raskin pritet të drejtojë Komisionin Juridik, ndërsa Robert Garcia Komisionin e Mbikëqyrjes.
Ky ndryshim mund t’u japë ligjvënësve demokratë mundësi më të mëdha për të përdorur kompetencat e Kongresit, përfshirë kërkesat për dokumente dhe thirrjen e personave për të dëshmuar.
Garcia e paralajmëroi këtë qasje që në ditën e zgjedhjeve, duke deklaruar se demokratët do të përdorin fuqinë e thirrjes së dëshmitarëve. Më 18 nëntor, ai i dërgoi një letër Kushnerit dhe personave të tjerë pranë presidentit amerikan, ku u kërkonte të ruanin dokumentet dhe komunikimet që mund të lidhen me çështjet nën shqyrtim.
Për Jaçon, ky zhvillim përbën një sinjal se çështja e Zvërnecit mund të rikthehet në vëmendjen e institucioneve amerikane, këtë herë përmes mekanizmave më të fuqishëm mbikëqyrës.
“Revolucioni Flamingo” e çoi çështjen e Zvërnecit përtej Shqipërisë
Reagimet ndaj projektit të Kushnerit nuk kanë ardhur vetëm nga institucionet dhe ligjvënësit amerikanë. Në Shqipëri, kundërshtimi ndaj ndërtimit të resortit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit u shndërrua në një lëvizje proteste të njohur si “Revolucioni Flamingo”.
Protestat, të nisura në maj, morën përmasa më të gjera dhe u shndërruan në një kundërshtim ndaj vendimeve të qeverisë Rama.
Lëvizja tërhoqi edhe vëmendjen e politikanëve amerikanë. Senatori demokrat Jon Ossoff ngriti publikisht pikëpyetje për përfshirjen e Kushnerit në projekt, ndërsa republikani Joe Wilson reagoi pas përdorimit të gazit lotsjellës dhe raportimeve për përdorimin e plumbave të gomës ndaj protestuesve gjatë muajit tetor.
Sipas Jaços, pjesëmarrja e të rinjve në protesta, ku krahas flamurit shqiptar valëviteshin edhe ata amerikanë dhe të Bashkimit Europian, tregoi se çështja kishte dalë përtej debatit për një investim privat.
Autori kritikon gjithashtu mungesën e transparencës së institucioneve shqiptare. Ai përmend portalin “Pasqyra e Flamingos”, ku dokumentet kryesore për projektin nuk janë publikuar ende, ndërsa disa prej tyre vijojnë të figurojnë me statusin “në pritje”.
Nga 5.5 milionë në 122 milionë euro, si u rrit vlera e tokës në Zvërnec?
Një nga çështjet më të ndjeshme të analizës lidhet me transaksionet e tokës ku parashikohet ndërtimi i resortit dhe hetimet e SPAK për këtë çështje.
Jaço përmend sekuestrimin e rreth 110 milionë eurove nga shitja e pronave në Zvërnec, si dhe hetimet ndaj Artur Shehut, personit që ka shitur tokën dhe që dyshohet për trafik droge dhe pastrim parash. Shehu i mohon akuzat.
Në një proces tjetër gjyqësor, më 18 nëntor, një gjykatë në Vlorë dënoi me shtatë vite burg një përfaqësues të tij për falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash. Vendimi nuk është përfundimtar dhe mund të ankimohet.
Por pikëpyetja kryesore që ngre analiza lidhet me ndryshimin e jashtëzakonshëm të vlerës së pronës brenda pak muajsh.
Sipas të dhënave të paraqitura nga Jaço, në nëntor 2025 toka ishte premtuar të shitej për 5.5 milionë euro, ndërsa në prill 2026 transaksioni u finalizua me vlerën 122 milionë euro.
Kjo do të thotë se vlera e shitjes u rrit më shumë se 22 herë në vetëm pesë muaj.
SPAK ka sqaruar se hetimi i tij nuk përfshin kompani të lidhura me Kushnerin. Megjithatë, sipas autorit, kjo nuk i shmang nevojën për të bërë transparente të gjithë zinxhirin e shitblerjes, pronësinë dhe procedurat që i paraprinë investimit.
Ultimatumi për qeverinë Rama: Publikoni dosjen e plotë deri në janar
Në përfundim të analizës, Jaço e përshkruan situatën si një garë mes institucioneve shqiptare dhe Kongresit amerikan për të zbardhur çështjen e Zvërnecit.
Ai shprehet se do të preferonte që përgjigjet të vinin nga SPAK dhe institucionet vendase. Sipas tij, një hetim amerikan mund të ndihmojë në zbulimin e asaj që ka ndodhur, por vetëm institucionet shqiptare mund të garantojnë që raste të tilla të mos përsëriten.
Mesazhi i tij për qeverinë Rama është që të mos presë ndërhyrjen e Kongresit amerikan, por të publikojë vetë dosjen e plotë të projektit deri në janar.
Dokumentacioni duhet të përfshijë lejet e dhëna, vlerësimin mjedisor dhe të gjithë zinxhirin e shitjeve të tokës, së bashku me çmimet përkatëse.
Sipas kësaj analize, çështja e Zvërnecit mund të hyjë në një fazë të re, ku përballë qeverisë shqiptare nuk do të jenë vetëm protestat dhe kërkesat për transparencë në vend, por edhe kërkesat institucionale nga Uashingtoni.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



