Forca e Sigurisë së Kosovës shënon më 27 nëntor Ditën e Forcës, një datë që pasqyron zhvillimin e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit. Me këtë rast, Milazim Maraj, një prej komandantëve të njohur të Betejës së Koshares, ka folur për “Bota sot” lidhur me kapacitetet e FSK-së, bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë dhe sfidat që lidhen me unitetin kombëtar e gjendjen shoqërore në Kosovë.
Sipas Marajt, FSK-ja ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në aspektin profesional, logjistik, intelektual dhe fizik. Ai thekson se Kosova nuk ka pasur asnjëherë më parë armatim kaq modern, por paralajmëron se fuqia ushtarake nuk është e mjaftueshme pa moral kombëtar, edukim dhe bashkim shoqëror.
Të lidhura
None found
Duke përshkruar rrugën e transformimit të strukturave të sigurisë, Maraj ka kujtuar se pas përfundimit të luftës, në vitin 1999, UÇK-ja u shndërrua në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, ndërsa më pas TMK-ja u transformua në Forcën e Sigurisë së Republikës së Kosovës.
Ai ka deklaruar se 27 Nëntori është Dita e Forcës së Sigurisë së Republikës së Kosovës dhe se ky proces transformimi duhet të çojë drejt objektivit natyror të mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe funksionimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

Maraj ka bërë dallim mes UÇK-së, e cila i përket historisë, dhe institucioneve që sot kanë përgjegjësi për sigurinë e vendit. Sipas tij, mbrojtja e Kosovës tashmë është detyrë e FSK-së, Policisë dhe komponentëve të tjerë shtetërorë.
Ai ka theksuar se UÇK-ja gjatë luftës përdorte flamurin kombëtar, ndërsa FSK-ja ka një flamur tjetër, të hartuar sipas standardeve të NATO-s. Maraj ka shtuar se Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka krijuar një flamur të UÇK-së dhe se kjo, sipas tij, tregon se shoqëria nuk është ende e gatshme t’i respektojë sa duhet institucionet e veta.
“UÇK-ja tani i takon historisë sonë. Në skenë për mbrojtje nuk është UÇK-ja, as TMK-ja. Mbrojtja e Republikës së Kosovës tani është kompetencë e FSK-së, Policisë dhe komponentëve të tjera”, është shprehur ai, duke paralajmëruar se rikthimi i UÇK-së si forcë që mbron dhe orienton Kosovën krijon përçarje dhe përbën një çarmatosje morale shumë të rrezikshme.
Maraj: FSK-ja është më e përgatitur se më parë
Duke vlerësuar gjendjen aktuale të FSK-së, Maraj e ka cilësuar atë si një forcë të avancuar dhe të përgatitur. Ai ka veçuar specializimet e oficerëve jashtë vendit, trajnimet e vazhdueshme dhe pajisjen me armatim modern.
“Forcat e Sigurisë së Kosovës janë forcë mbrojtjeje mjaft e avancuar dhe e përgatitur. Oficerët tanë kanë specializime jashtë vendit, në ushtritë më të përgatitura në botë. Në dhënien e provimeve kanë treguar rezultate të shkëlqyera”, ka deklaruar Maraj.
Sipas tij, armatimi i FSK-së tashmë i përmbush standardet moderne dhe është zhvilluar në përputhje me kohën. Për këtë, ai ka shprehur mirënjohje ndaj SHBA-së dhe aleatëve të Kosovës.
Maraj ka vlerësuar gjithashtu marrëveshjen ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, si dhe bashkëpunimin me KFOR-in. Ai e ka cilësuar marrëveshjen trepalëshe si një hap të shkëlqyeshëm, ndërsa ka thënë se edhe bashkëpunimi me KFOR-in dhe Bondsteelin është në nivel.
Pjesëmarrjen e pjesëtarëve të FSK-së në stërvitje të përbashkëta me ushtritë e vendeve të tjera, Maraj e ka parë si dëshmi të përgatitjes së tyre. Ai ka përmendur se pjesëtarë të FSK-së janë dekoruar me medalje të arta gjatë këtyre aktiviteteve.
“Armatim Kosova nuk ka pasur kurrë më shumë dhe më të përshtatshëm sesa që e ka tani. Kemi armatim modern dhe ekspertë për përdorimin e tij. Ushtrimet dhe trajnimet janë të pandërprera dhe mjaft efikase”, ka thënë ai, duke shtuar se këto vlerësohen jo vetëm nga eprorët kosovarë, por edhe nga ekspertët e aleatëve.
Ai ka nënvizuar se përgatitja e FSK-së nuk matet vetëm me pajisjet dhe armatimin, por edhe me nivelin profesional, intelektual, fizik dhe logjistik. Megjithatë, Maraj ka paralajmëruar se edhe këto kapacitete nuk mjaftojnë pa moral kombëtar.
“Mbrojtja nuk mund të mbështetet vetëm te armatimi”
Maraj ka vënë në dukje se siguria e vendit kërkon më shumë sesa armatim modern dhe kapacitete ushtarake. Sipas tij, arsimi, kultura, edukimi dhe vetëdija kombëtare janë pjesë e rëndësishme e mbrojtjes së Kosovës.
Ai ka deklaruar se Ministria e Arsimit dhe Ministria e Kulturës duhet të kontribuojnë më shumë në forcimin e vlerave kombëtare, në kultivimin e dashurisë për atdheun dhe në krijimin e një shoqërie më të bashkuar.
“Ministria e Mbrojtjes nuk mund ta mbrojë vendin nëse Ministria e Arsimit dhe e Kulturës nuk zhvillojnë armatosjen morale të popullit të vet. Nuk zhvillojnë kulturë kombëtare dhe njohje të vlerave të kombit të vet”, ka deklaruar Maraj.
Sipas tij, mungesa e zhvillimit të dashurisë për atdheun dhe e unitetit kombëtar krijon hapësirë për depërtimin e interesave të huaja në dëm të interesave kombëtare shqiptare, në forma që deri tani nuk janë parë.
Maraj ka shprehur shqetësim edhe për gjendjen e arsimit dhe edukimit, të cilën e ka cilësuar si një rënie drastike. Ai ka përmendur përdorimin e pakujdesshëm të fjalëve të huaja në vend të fjalëve të gjuhës shqipe, ndikimin e pakontrolluar të kulturave të huaja dhe shtimin e krimeve në familje, të cilat, sipas tij, nuk kanë ekzistuar më parë në këtë masë.
Duke folur për modernizimin e ushtrisë dhe përdorimin e teknologjive të reja, përfshirë robotikën, ai ka theksuar se këto mjete duhet të shoqërohen me një shoqëri të fortë dhe me një qëllim të qartë.
“Armatimi më i suksesshëm do të ishte të zhvillohet kulturë dhe respekt për veten tonë, do të thotë për njëri-tjetrin, dhe të krijohet një unitet i domosdoshëm demokratik”, ka thënë Maraj. Sipas tij, robotika në mbrojtje është e rëndësishme, por humbet kuptimin nëse shpërngulja e qytetarëve vazhdon, pasi edhe armët më moderne nuk do të kenë arsyen e përdorimit të tyre.
Maraj: Përçarja është rreziku më i madh
Një pjesë të rëndësishme të mesazhit të tij, Maraj ia ka kushtuar mungesës së unitetit në Kosovë. Ai ka thënë se përçarjet janë shfaqur në institucione, parti politike dhe brenda tyre, në marrëdhëniet ndërmjet religjioneve, në familje dhe në grupe të ndryshme të shoqërisë.
“Përçarja është armiku ynë i përbetuar. Nuk kemi pasur kurrë përçarje më të thellë dhe më të madhe sesa që kemi tani”, ka deklaruar ai, duke ngritur pyetjen se si mund të ndërtohet besimi dhe të luftohet kur shoqëria është e ndarë.
Sipas Marajt, kjo gjendje krijon pasiguri edhe për atë se kush do të luftonte dhe për kë do të luftonte në një situatë të vështirë. Ai e ka cilësuar situatën si mjaft të pakëndshme.
Duke kujtuar pajtimin e gjaqeve që u organizua në Kosovë para luftës, Maraj ka thënë se sot uniteti po dëmtohet edhe brenda familjeve. Ai ka bërë thirrje që fillimisht të rindërtohet bashkimi ndërmjet shqiptarëve.
“Kur kemi unitet në mes veti, do të kemi bashkëpunim me aleatët tanë të natyrshëm. Përndryshe, kështu të përçarë, askujt nuk i duhemi, askush nuk na beson”, ka theksuar ai.
Në përfundim të prononcimit për “Bota sot”, Maraj ka deklaruar se Kosova ka përparuar në të gjitha fushat e tjera më shumë se në çdo periudhë të historisë së saj, ndërsa unitetin e ka më të dobët se kurrë.
“Kosova të gjitha të tjerat i ka më mirë se kurdoherë në historinë e saj, përveç unitetit që e ka më keq se kurdoherë. Të fillojmë duke thirrur arsyen për ndihmë”, ka përfunduar ai.







