Rreth 36 mijë fatura të energjisë elektrike, që përmbajnë detyrime dhe gjoba të vendosura gjatë periudhës 2008–2013 dhe të konsideruara të padrejta, pritet të përfshihen në një proces faljeje përmes një ligji të posaçëm.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, i cili tha se nisma vjen pas ankesave të qytetarëve të depozituara përmes platformës “Fol me Kryeministrin”.
“Përmes platformës ‘Fol me Kryeministrin’, qytetarët kanë dërguar ankesa për gjoba të vendosura në faturat e energjisë elektrike gjatë periudhës 2008–2013. Janë rreth 36 mijë fatura të energjisë elektrike, të cilat u konstatuan që janë të padrejta. Për këtë qëllim do të miratojmë një ligj të posaçëm për faljen e këtyre detyrimeve”, deklaroi Karakaçi.
Ministri bëri të ditur se në platformë janë depozituar gjithsej 68 raste që lidhen me problematikat në fushën e infrastrukturës dhe energjisë. Prej tyre, 34 kanë marrë adresim, ndërsa 34 të tjera vijojnë të jenë në proces shqyrtimi.
Sipas Karakaçit, një nga çështjet kryesore të ngritura nga qytetarët lidhet pikërisht me detyrimet dhe gjobat e vendosura në faturat e energjisë elektrike gjatë viteve 2008–2013.
“Kam ngritur një grup pune për të vlerësuar këto detyrime dhe kemi konstatuar se këto gjoba janë të padrejta. Për këto ankesa do të marrim masa të menjëhershme ligjore, duke iniciuar një ligj të posaçëm për faljen e këtyre detyrimeve”, u shpreh ministri.
Nisma synon t’u japë zgjidhje ankesave të abonentëve për detyrimet e mbartura nga kjo periudhë. Falja do të realizohet pas miratimit të ligjit të posaçëm, i cili do të përcaktojë bazën ligjore për shuarjen e këtyre detyrimeve.


