Punonjësit operacionalë të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale dhe drejtuesi i saj do të përfitojnë mbrojtje të posaçme në rast se kërcënohen për shkak të detyrës.
Vendimi i miratuar këtë të premte nga qeveria parashikon ruajtje dhe shoqërim fizik jo vetëm për punonjësit e rrezikuar, por edhe për familjarët e tyre, si dhe masa për mbrojtjen e pronës.
Propozimi për këtë vendim ka ardhur nga ministri i Drejtësisë dhe përcakton kushtet dhe procedurat për garantimin e mbrojtjes së veçantë të punonjësve të këtij institucioni, kur për shkak të ushtrimit të detyrës përballen me ërcënime nga persona të tretë..
Për të përfituar mbrojtje të veçantë, duhet të ekzistojnë rrethana serioze që rrezikojnë jetën, familjen apo pronën e punonjësit, si dhe të ketë lidhje shkakësore ndërmjet kërcënimit dhe ushtrimit të ligjshëm të detyrës.
Në pikën 4 të vendimit përcaktohen tri mënyrat e mbrojtjes së veçantë:Ruajtja apo shoqërimi fizik i punonjësit të Agjencisë të rrezikuar; Ruajtja apo shoqërimi fizik i familjarëve të rrezikuar të punonjësit të Agjencisë; Ruajtja e pronës së punonjësit të Agjencisë të rrezikuar.
Për shqyrtimin e kërkesave për mbrojtje do të ngrihet pranë Agjencisë, Komisioni për Vlerësimin e Kërcënimeve, i përbërë nga pesë anëtarë.
Kërkesa mund të paraqitet nga vetë punonjësi i kërcënuar, strukturat e Agjencisë, por edhe nga çdo organ tjetër publik që merr dijeni për rrezikun. Ajo duhet të përmbajë faktet dhe rrethanat që përbëjnë rrezik serioz, si dhe burimin e provave ku ato bazohen.
Komisioni ka në dispozicion 10 ditë nga paraqitja e kërkesës për të vendosur për pranimin ose mospranimin e saj. Në rast miratimi, përcaktohen masat konkrete të mbrojtjes, kohëzgjatja e tyre, strukturat përgjegjëse për zbatimin, shpenzimet dhe subjekti që do t’i përballojë ato.
Megjithatë, në rastet kur rreziku është serioz dhe i menjëhershëm, masat e sigurisë mund të merren pa pritur vendimin e komisionit,thote vendimi.
“Në rastin e një rreziku serioz dhe të çastit, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale urdhëron strukturat përkatëse në Agjenci të marrin masa të menjëhershme për të garantuar sigurinë e jetës, të familjes e të pronës së punonjësit të kërcënuar të Agjencisë”, përcaktohet në pikën 14 të VKM-së.
Mbrojtje parashikohet edhe për punonjësit që ushtrojnë detyrën larg vendbanimit dhe familjes së tyre. Në këto raste, masat urgjente mbrojtëse merren si për punonjësin, ashtu edhe për familjarët, sipas nevojës dhe intensitetit të kërcënimit.
Në rast se kërcënohet vetë drejtori i përgjithshëm i Agjencisë, kërkesa për mbrojtje të veçantë i paraqitet Ministrit të Drejtësisë, i cili urdhëron marrjen e masave.
Top Channel