Talebanët u heqin grave emrat, i identifikojnë si “gjyshe”, “dhi” dhe “lopë”, raporti zbulon diskriminimin ekstrem në Afganistan

Talebanët po ashpërsojnë kufizimet ndaj grave në Afganistan, duke u mohuar edhe të drejtën për t’u identifikuar me emrat e tyre. Një hetim i përbashkët i medias afgane Zan News dhe gazetës britanike The Guardian ka zbuluar se punonjësit e shëndetësisë në provincën Balkh janë udhëzuar t’u drejtohen grave me fjalën “Bibi”, që përkthehet “gjyshe”, madje edhe në recetat mjekësore.
Sipas aktivistes afgane Lala Osmani, që jeton në Gjermani, në disa raste gratë identifikohen edhe si “dhi” apo “lopë”. Në dokumentet zyrtare, emrat e tyre zëvendësohen shpesh me përcaktime si “bashkëshortja” apo “vajza” e një burri. Në disa zona, përmendja publike e emrit të një gruaje konsiderohet cenim i nderit të familjes, ndaj emrat e tyre mungojnë edhe në gurët e varreve.
Por kufizimet nuk ndalen këtu. Një kod i ri penal prej 90 faqesh, i miratuar nga udhëheqësi suprem i talebanëve, Hibatullah Akhundzada, ka ngritur shqetësime për trajtimin e grave dhe ndarjen e shoqërisë në kategori të ndryshme sociale.
Kodi parashikon ndëshkime të ndryshme në varësi të statusit shoqëror dhe lejon bashkëshortët të ushtrojnë dhunë fizike ndaj grave, për sa kohë që nuk shkaktojnë dëmtime të rënda. Sipas nenit 32, në rastet kur provohet një dëmtim serioz, bashkëshorti mund të dënohet me vetëm 15 ditë burg.
Një tjetër shqetësim lidhet me vështirësinë që gratë kanë për të denoncuar dhunën, pasi u kërkohet të paraqesin prova para gjykatës, ndërkohë që duhet të jenë të mbuluara dhe të shoqërohen nga një burrë.
Ndërkohë, një rregullore e re për familjen ka njohur edhe martesat e fëmijëve, duke përcaktuar kushte ligjore për martesat me të mitur. Dokumenti parashikon gjithashtu se heshtja e një vajze të virgjër mund të interpretohet si pëlqim për martesë.
Situata rëndohet edhe nga kriza ekonomike dhe humanitare. Sipas raportimeve, disa familje po detyrohen të shesin vajzat e tyre të mitura për të siguruar ushqim, ndërsa rreth tre në katër afganë nuk arrijnë të përmbushin nevojat bazë të përditshme.
Këto zhvillime vijnë në një kohë kur gratë dhe vajzat në Afganistan përballen me kufizime të rënda në arsim, punësim, lëvizje dhe jetën publike nën sundimin e talebanëve.




