Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

8 milionë lekë borxh dhe 8 vite premtime/ Piranjat përballin punëtorin me ish-shefin

22:05, 27/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Prej tetë vitesh pret të marrë paratë për punën e kryer, por 8 milionë lekët që pretendon se i detyrohet ish-sipërmarrësi, Fatos Bitaj kane mbetur peng i premtimeve.

Kjo është historia e Mefat Merës, i cili thotë se për vite me radhë ka punuar në kantieret e ndërtimit të Bitajt, duke mbajtur edhe përgjegjësi si brigadier, zbatues projekti dhe magazinier.

Sipas Mefatit, marrëdhënia e tyre ka qenë shumë e mirë për rreth 10 vite, por situata ndryshoi kur pagesat nisën të vonoheshin. Fillimisht, sipërmarrësi i premtonte se do t’i jepte paratë muajin tjetër, ndërsa më pas justifikimet u shtuan dhe borxhi mbeti i pashlyer.

Mefati tregon se pritja e gjatë i ka shkaktuar vështirësi edhe në familje. Madje, kur martoi vajzën, u detyrua të merrte 5 milionë lekë kredi, pasi kishte besuar te premtimi i Fatosit se do t’i kthente paratë në kohë për të përballuar shpenzimet e dasmës.

Pas përpjekjeve të përsëritura për ta kontaktuar, Mefati thotë se ish-sipërmarrësi e kishte bllokuar në telefon dhe në rrjetet sociale. Për këtë arsye, ekipi i Piranjave vendosi te komunikonte vetë me Fatosin.

Gjatë bisedës telefonike, Bitaj pranoi se i kishte mbetur një detyrim ndaj Mefatit, por tha se nuk e dinte saktësisht shumën. Ai premtoi se në fund të muajit do të takohej me të për të kontrolluar faturat dhe për të bërë llogaritë.

Megjithatë, vetëm 30 minuta pasi ekipi u largua nga banesa e tij, Fatosi telefonoi sërish me një tjetër version. Këtë herë pretendoi se nuk bëhej fjalë për 8 milionë lekë, por për 3.5 milionë lekë, të cilat, sipas tij, ia kishte mbajtur Mefatit nga paga për shkak të disa materialeve të ndërtimit që ky i fundit kishte marrë dhe nuk i kishte kthyer.

Një pretendim që Mefati e kundërshton, duke këmbëngulur se materialet nuk i kishte marrë nga Fatosi, por nga një person tjetër, i cili gjithashtu nuk e kishte paguar për punën e kryer.

Përgjatë bisedave telefonike, në këtë histori përmenden edhe emra të tjerë si Altini, Gazi, Arjani dhe Bujari, ndërsa palët japin versione të ndryshme për pagesat dhe materialet e ndërtimit.

Nga ana e tij, Fatos Bitaj nuk e mohon ekzistencën e një detyrimi ndaj ish-punëtorit, por kundërshton shumën e pretenduar prej tij. Ai përsërit se do të bëjë llogaritë dhe do ta zgjidhë çështjen, ndërsa Mefati thotë se ka pritur mjaftueshëm dhe kërkon vetëm paratë për të cilat ka punuar.

Pas tetë vitesh premtime dhe shpjegimesh që ndryshojnë, mbetet për t’u parë nëse takimi i premtuar nga Fatosi do të sjellë një zgjidhje për këtë histori. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco