Friday / November 27 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
200 kompanitë me fitime më të mëdha, 2025 Banka Lajmet Kryesore Mikrofinanca Nga Vendi Sigurime

Fitimet e sektorit financiar, si krahasohen me rajonin

Share Share Icon

Bankat shqiptare realizuan 429 milionë euro fitim para tatimit në vitin 2025, me normën më të ulët të fitimit ndaj të ardhurave në Ballkanin Perëndimor, 32.8%. Bosnjë-Hercegovina kryesoi për nga norma e fitimit, me rreth 38%, ndërsa Serbia siguroi gjysmën e 3.2 miliardë eurove fitim të bankave të rajonit. Brenda sektorit financiar shqiptar, ulja e interesave frenoi fitimet e bankave dhe disa operatorë të mikrofinancës raportuan rezultate më të dobëta. Sigurimet shënuan rritje të fitimit me 55.8%, në 3.54 miliardë lekë.

 

Rënia e interesave çon në cikël ulës fitimin e bankave

Sistemi bankar është një ndër sektorët më të zhvilluar në vend, i nxitur nga hyrja e bankave të mëdha perëndimore gjatë dy dekadave të fundit, që ka sjellë përmirësimin e standardeve të qeverisjes korporative, forcimin e menaxhimit të rrezikut, rritjen e transparencës dhe modernizimin e shërbimeve financiare.

Prania e grupeve ndërkombëtare bankare ka ndikuar gjithashtu në rritjen e konkurrencës, zgjerimin e ofertës së produkteve bankare dhe përshpejtimin e digjitalizimit, duke e afruar sektorin me praktikat dhe standardet europiane.

Ai mbetet dhe një ndër sektorët më fitimprurës të ekonomisë, duke mundësuar investime të vazhdueshme në teknologji, digjitalizimin e shërbimeve dhe përmirësimin e infrastrukturës bankare.

Ndërsa në 2023-2024, bankat kanë qenë në një cikël të shpejtë të zgjerimit të fitimeve, të ndikuara nga politika shtrënguese monetare e Bankës së Shqipërisë, që rriti interesat, në 2025-n nisi cikli rënës. Ky cikël ishte i pritshëm, teksa Banka e Shqipërisë, në korrik 2024 nisi politikën lehtësuese, duke ulur normën bazë në 2.75%.

Në vitin 2025, Banka e Shqipërisë vijoi për të dytin vit radhazi politikën lehtësuese monetare. Në korrik, institucioni monetar qendror uli normën bazë edhe me 0.25 pikë përqindje, duke e zbritur në 2.50%, niveli më i ulët që nga tetori i vitit 2022.

Ulja e interesave sjell dhe reduktim të të ardhurave nga bankat nga interesat e kredive, apo të letrave me vlerë të qeverisë, që janë burimi kryesor i investimit të parave.

Fitimi i sistemit për vitin 2025, i raportuar sipas standardeve lokale, ishte 35.6 miliardë lekë, me rënie prej 4.72% me bazë vjetore. Një vit më parë, fitimet ishin rritur me 15%, duke arritur rekordin historik prej 37.4 miliardë lekësh.

Por, ndryshimi i kahut të politikës monetare ka ndikuar në ngadalësimin e rritjes së fitimeve në sistemin bankar.

 

 

Ngadalësimi i fitimeve çoi në rënie të treguesve të rentabilitetit. Kthyeshmëria nga Aktivet (RoA) ishte mesatarisht 1.98% në vitin 2025, nga 2.21% në vitin 2024. Kthyeshmëria nga Kapitali (RoE) ra në 16.36% në vitin 2025, nga 18.9% në vitin 2024.

Ndryshe nga Banka e Shqipërisë, ku raportojnë sipas standardeve lokale, në Tatime, bankat deklarojnë bilancet sipas standardeve ndërkombëtare.

Diferenca kryesore mes standardeve lokale dhe atyre ndërkombëtare qëndron në mënyrën se si raportohen shpenzimet për provigjionimet për huatë me probleme, teksa Banka e Shqipërisë, që kërkon raportim me ato lokale, ka standarde më të rrepta për shpenzimet që duhen lënë mënjanë për mbulimin e huave, të cilat nuk kthehen në afat.

Në vitin 2025, për të tretin vit radhazi, të gjitha bankat raportuan fitime, me përjashtim të Bankës së Bashkuar të Shqipërisë (UBA), e cila ka më pak se 1% të tregut, sipas madhësisë së aktiveve.

Sipas të dhënave nga bilancet e bankave, që raportojnë bazuar në standardet ndërkombëtare të kontabilitetit, fitimi i 10 bankave (përjashtuar UBA) ishte rreth 42 miliardë lekë, me rënie prej 1.1% me bazë vjetore, pas një rritjeje prej 27% në 2024-n.

Tregu bankar ka hyrë në një fazë të re, ku konkurrenca, teknologjia dhe ndryshimet rregullatore po ndikojnë gjithnjë e më shumë në mënyrën se si bankat operojnë. Bankat po investojnë gjithnjë e më shumë në digjitalizim, teksa sistemi po përgatitet dhe për hyrjen në Bashkimin Europian, që kërkon harmonizim me standardet europiane.

Në vlerë absolute, banka me fitimin më të lartë është BKT, për vetë madhësinë e saj, me 9.5 miliardë lekë, e ndjekur nga “Raiffeisen”, me 8.9 miliardë lekë, “OTP”, 5.4 miliardë lekë. Renditjen e vijojnë “Banka Amerikane e Investimeve” me 4.7 miliardë lekë, “Banka Credins”, me 4 miliardë lekë, “Banka e Tiranës”, me 3.4 miliardë lekë, “Intesa Sanpaolo Bank”, me 3.4 miliardë lekë.

Për të parën herë në listën e 10 më të mëdhave ka shtatë banka, nga gjashtë në 2024-n dhe tre që ishin në vitin 2023 (shiko renditjen në fillim).

“Union Bank” shënoi rënie të lehtë të fitimeve me 7%, në 1.4 miliardë lekë. Banka deklaroi një qarkullim vjetor prej rreth 7.2 miliardë lekësh, me rritje 9% për vitin 2025.

Flutura Veipi, CEO e “Union Bank”, citohet në raportin vjetor se “rezultatet e këtij viti konfirmojnë se strategjia jonë po jep rezultatet e pritshme. ‘Union Bank’ konsolidoi më tej pozicionin e saj në treg, duke përfaqësuar rreth 5.3% të aktiveve të sistemit bankar, 6.3% të portofolit të kredive dhe rreth 4.8% të depozitave të tregut.

Kthimi mbi kapitalin (ROE) prej 16.6%, mbi mesataren e sektorit, dëshmon se rritja mund të arrihet duke ruajtur njëkohësisht stabilitetin financiar, efikasitetin operacional dhe një profil të shëndetshëm rreziku.

Ndërkohë, procesi i integrimit europian po ndryshon mënyrën se si operojnë bankat shqiptare. Harmonizimi me standardet europiane, zhvillimet në fushën e pagesave, Open Banking, siguria kibernetike dhe mbrojtja e konsumatorit nuk përbëjnë vetëm kërkesa rregullatore.

Ne i shohim ato si mundësi për të rritur cilësinë e shërbimeve tona, për të forcuar besimin e klientëve dhe për të ndërtuar një bankë më konkurruese për të ardhmen.

“Banka e Parë e Investimeve” deklaroi fitime që arritën në 1.3 miliardë lekë, me rritje 13%. Banka rriti të ardhurat me 5%, në 4 miliardë lekë.

“Duke parë nga e ardhmja, transformimi digjital do të mbetet një nga faktorët kryesorë të ndryshimit. Megjithëse shërbimet digjitale po zgjerohen me shpejtësi, komunikimi i drejtpërdrejtë me klientët vijon të ketë rol të rëndësishëm në ndërtimin e besimit dhe në mbështetjen e vendimeve financiare më komplekse.

Ne besojmë se e ardhmja qëndron te një model i balancuar, që ndërthur kapacitetet e avancuara digjitale me marrëdhënie të forta njerëzore”, citohet Bozhidar Todorov, Drejtori i Përgjithshëm i Bankës, në raportin vjetor.

“ProCredit” deklaroi fitime 38 milionë lekë në vitin 2025. Të ardhurat ishin 2.9 miliardë lekë, me rritje 6.4% me bazë vjetore. “Një nga shtyllat kryesore të progresit tonë në vitin 2025 ishte përshpejtimi i transformimit digjital. Investimet e vazhdueshme në teknologji dhe përvojën e klientit krijuan bazat për një model bankar më efikas, më të qasshëm dhe të orientuar drejt së ardhmes.

Këto investime janë thelbësore për forcimin e rritjes sonë afatgjatë dhe efikasitetit operacional. Inovacioni digjital mbeti një komponent qendror i këtij transformimi.

Në vitin 2025, ProCredit Bank Shqipëri forcoi më tej pozicionin e saj si një pionier i bankingut digjital, duke u bërë banka e parë në Shqipëri që prezantoi ‘Apple Pay’ në tregun vendas. Megjithatë, pavarësisht këtyre arritjeve, viti 2025 u karakterizua gjithashtu nga një mjedis

operativ sfidues. Rritja e kostove, investimet e shtuara në nisma strategjike dhe presioni

i përkohshëm mbi përfitueshmërinë kërkuan qasje të disiplinuar ndaj menaxhimit të

rrezikut, kapitalit dhe kostove”, citohet Mirsad Haliti, Anëtar i Drejtorisë Ekzekutive të “ProCredit Bank Shqipëri”, në raportin vjetor.

E vetmja me humbje është “Banka e Bashkuar e Shqipërisë”, me një rezultat negativ prej 575 milionë lekësh në vitin 2025, ndërsa të ardhurat ishin 1.3 miliardë lekë.

Normat e fitimit në sistem në vitin 2024 u luhatën nga 18% në 45%.

Fitimet e bankave karakterizohen nga luhatje të forta nga një vit në tjetrin, kryesisht për shkak të ndryshimeve në nivelin e provigjionimeve – fondeve që ato lënë mënjanë për të mbuluar rreziqet nga kreditë me probleme.

Këto shpenzime kanë ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin financiar të sektorit bankar: në periudhat kur bankat rikuperojnë kredi të mëparshme të humbura, ato përfitojnë nga rimarrja e provigjioneve duke shënuar fitime të larta.

Në të kundërt, në vitet kur rritet niveli i kredive me probleme (NPL), bankat detyrohen të rrisin rezervat për humbje të mundshme, çka çon në ulje të profitabilitetit ose, në raste ekstreme, në daljen me humbje.

Në thelb, cikli i provigjionimeve është një nga faktorët më të rëndësishëm që përcakton ecurinë vjetore të fitimeve në sistemin bankar shqiptar.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

Bankat në Shqipëri, normat më të ulëta të fitimit në Ballkanin Perëndimor

Sektori bankar mbetet një nga aktivitetet më fitimprurëse në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Në vitin 2025, bankat e gjashtë vendeve të rajonit realizuan së bashku rreth 3.2 miliardë euro fitim para tatimit, me rritje 4.4% krahasuar me një vit më parë, sipas renditjes rajonale të publikuar më herët nga “Monitor”, që bazohej mbi të dhënat e publikuara nga bankat qendrore përkatëse.

Nga 84 banka aktive, 78 rezultuan me fitim. Megjithatë, rritja e fitimeve ishte më e ngadaltë se zgjerimi prej 5.5% i të ardhurave, duke reflektuar uljen e normave të interesit dhe shtimin e kostove.

Bankat e rajonit regjistrojnë norma të larta fitimi në raport me të ardhurat, përgjithësisht mbi 30% në nivel sistemi, ndërsa për disa prej bankave kryesore, ato kalojnë 45–50%. Në krye të renditjes sipas përfitueshmërisë qëndron Bosnjë-Hercegovina, me një normë mesatare fitimi para tatimit prej rreth 38%.

Serbia renditet e dyta, me 36.9%, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut, me 36.6% dhe Kosova, me 35.2%. Mali i Zi regjistroi një normë prej rreth 33.8%, ndërsa Shqipëria renditet e fundit, me 32.8%, nga 35.6% një vit më parë.

Përfitueshmëria e lartë e bankave të Ballkanit Perëndimor reflektohet edhe në kthimin nga kapitali aksioner, që rezulton ndjeshëm mbi mesataren europiane.

Sipas Bankës Qendrore të Austrisë (OeNB), në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, Serbia kryesonte rajonin me një kthim prej 21.5%, e ndjekur nga Kosova me 17.9%, Maqedonia e Veriut me 16.8%, Shqipëria me 16.5%, Bosnjë-Hercegovina me 15.5% dhe Mali i Zi me 15.1%.

Në të njëjtën periudhë, sipas Autoritetit Bankar Europian (EBA), kthimi mesatar nga kapitali i bankave të BE-së dhe Zonës Ekonomike Europiane ishte 10.7%.

Një anketim i Bankës Europiane të Investimeve (BEI), i publikuar në dhjetor 2025, evidenton se Kosova ka rezultatet më të favorshme në rajon në krahasimin e përfitueshmërisë së filialeve bankare me grupet e tyre mëmë.

Të gjitha bankat e anketuara në Kosovë raportuan kthim nga kapitali më të lartë se grupet mëmë, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë, kjo përqindje ishte rreth 67% dhe në Serbi, 60%.

Për Shqipërinë, vetëm 33% e bankave raportuan kthim nga kapitali më të lartë se grupi mëmë, 33% të barabartë dhe 33% më të ulët. Situata është më pak e favorshme për kthimin nga aktivet, ku 67% e bankave të anketuara në Shqipëri raportuan nivele më të ulëta se grupet mëmë.

 

Serbia, gjysma e fitimeve të rajonit

Serbia ka tregun më të madh bankar në Ballkanin Perëndimor, me 4.33 miliardë euro të ardhura dhe rreth 1.6 miliardë euro fitim para tatimit në vitin 2025, ose afërsisht gjysmën e fitimeve të sektorit bankar të gjithë rajonit, i lidhur dhe me tregun e saj më të madh me 6.5 milionë banorë, sa gati 40% e Ballkanit Perëndimor.

Norma mesatare e fitimit ndaj të ardhurave ishte 36.9%, ndër më të lartat në rajon.

Banka Intesa Beograd kryesoi me 720 milionë euro të ardhura dhe 303 milionë euro fitim para tatimit, me normë fitimi 42.1%. “Raiffeisen Banka Beograd” realizoi 550.1 milionë euro të ardhura dhe 286.1 milionë euro fitim, me normë 52%, ndërsa “UniCredit Bank” regjistroi 481.5 milionë euro të ardhura dhe 277.2 milionë euro fitim, me normë 57.6%.

“OTP Banka Srbija” realizoi 631.5 milionë euro të ardhura dhe 227 milionë euro fitim, me normë 35.9%, ndërsa “NLB Komercijalna Banka” raportoi 420.3 milionë euro të ardhura dhe 175.3 milionë euro fitim, me normë 41.7%.

Normën më të lartë të fitimit ndaj të ardhurave e regjistroi filiali serb i Bankës së Kinës, me 68%, niveli më i lartë ndër bankat e përfshira në renditjen rajonale.

Serbia kryesonte edhe në kthimin nga kapitali aksioner, me 21.5% në mesin e vitit 2025, sipas Bankës Qendrore të Austrisë (OeNB).

 

Bosnjë-Hercegovina, tregu me normën më të lartë të fitimit

Bosnjë-Hercegovina realizoi rreth 1.29 miliardë euro të ardhura dhe 482.5 milionë euro fitim para tatimit në vitin 2025. Norma mesatare e fitimit ndaj të ardhurave ishte rreth 38%, më e larta në rajon. Në Republikën Srpska, kjo normë arriti në 38.4%, ndërsa në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës ishte 37.5%.

Bankat e Federatës realizuan rreth 892 milionë euro të ardhura dhe 335 milionë euro fitim para tatimit. “UniCredit Bank Mostar” kryesoi me 219.2 milionë euro të ardhura dhe 117.3 milionë euro fitim, duke regjistruar një normë prej 53.5%, ndër më të lartat në rajon.

“Raiffeisen Bank” realizoi 190 milionë euro të ardhura dhe 72.7 milionë euro fitim, me normë 38.3%, ndërsa “ASA Bank” raportoi 91.3 milionë euro të ardhura dhe 36.5 milionë euro fitim, me normë 40%.

Në Republikën Srpska, bankat realizuan rreth 398 milionë euro të ardhura dhe 147.5 milionë euro fitim para tatimit. “Nova Banka” kryesoi me 119.3 milionë euro të ardhura dhe 51.9 milionë euro fitim, me normë rreth 43.5%.

“NLB Banka” realizoi 73.5 milionë euro të ardhura dhe 31.8 milionë euro fitim, me normë 43.3%, ndërsa “ATOS Bank” raportoi 49.5 milionë euro të ardhura dhe 19.4 milionë euro fitim, me normë 39.2%. “UniCredit Bank Banja Luka” realizoi 47.1 milionë euro të ardhura dhe 18.3 milionë euro fitim, me normë 39%.

 

Shqipëria, norma më e ulët e fitimit në rajon

Në Shqipëri, sektori bankar realizoi rreth 1.31 miliardë euro të ardhura dhe 429 milionë euro fitim para tatimit në vitin 2025. Norma mesatare e fitimit ndaj të ardhurave ishte 32.8%, më e ulëta në Ballkanin Perëndimor.

Banka Kombëtare Tregtare kryesoi me rreth 253 milionë euro të ardhura dhe 97.7 milionë euro fitim para tatimit, me normë 38.6%. “Raiffeisen Bank” realizoi 213.1 milionë euro të ardhura dhe 92.4 milionë euro fitim, me normë 43.35%, ndërsa “OTP Albania” regjistroi 121.2 milionë euro të ardhura dhe 55.4 milionë euro fitim, duke pasur normën më të lartë të fitimit ndër bankat shqiptare, prej 45.7%.

“ABI Bank” raportoi 120.3 milionë euro të ardhura dhe 48.2 milionë euro fitim, me normë 40.1%, ndërsa “Credins Bank” realizoi 231.25 milionë euro të ardhura dhe 41.7 milionë euro fitim, me normë rreth 18%.

Sipas të dhënave të Shoqatës Shqiptare të Bankave, kthimi nga kapitali aksioner i sektorit arriti në 16.47% në vitin 2025. “ABI Bank” kishte kthimin më të lartë nga kapitali, prej 32.05%, e ndjekur nga “Raiffeisen”, me 24.44% dhe “OTP Albania”, me 17.39%.

 

Maqedonia e Veriut, “Komercijalna” me normë mbi 50%

Në Maqedoninë e Veriut, sektori bankar realizoi rreth 890 milionë euro të ardhura dhe 325.5 milionë euro fitim para tatimit në vitin 2025. Norma mesatare e fitimit ndaj të ardhurave arriti në 36.6%.

“Komercijalna Banka” kryesoi me 182.3 milionë euro të ardhura dhe 92.7 milionë euro fitim, me normë 50.8%. “NLB Banka” realizoi 145.9 milionë euro të ardhura dhe 70 milionë euro fitim, me normë 47.9%, ndërsa “Stopanska Banka” raportoi 161.4 milionë euro të ardhura dhe 60.3 milionë euro fitim, me normë 37.4%.

“Halkbank” realizoi 146.6 milionë euro të ardhura dhe 41.9 milionë euro fitim para tatimit, me normë 28.6%, ndërsa “Sparkasse Bank” regjistroi 103.3 milionë euro të ardhura dhe 34.3 milionë euro fitim, me normë 33.2%.

 

Kosova, NLB me normë fitimi 49.5%

Në Kosovë, bankat realizuan 565 milionë euro të ardhura dhe 198.8 milionë euro fitim para tatimit në vitin 2025. Norma mesatare e fitimit ndaj të ardhurave ishte 35.2%.

“NLB Banka Kosovë” kryesoi për nga fitimi, me 90.9 milionë euro të ardhura dhe 45 milionë euro fitim para tatimit, duke arritur një normë prej 49.5%. “BKT Kosovë” realizoi 81.3 milionë euro të ardhura dhe 36.1 milionë euro fitim, me normë 44.4%.

“Raiffeisen Bank Kosovë”, banka më e madhe sipas të ardhurave, regjistroi 117.2 milionë euro xhiro dhe 34.8 milionë euro fitim, me normë rreth 29.7%. “TEB Banka” realizoi 78.2 milionë euro të ardhura dhe 32 milionë euro fitim, me normë 41%, ndërsa “ProCredit Bank” raportoi 78.8 milionë euro të ardhura dhe normë fitimi 37.3%.

Sipas të dhënave të OeNB-së, kthimi nga kapitali aksioner i sektorit bankar në Kosovë ishte 17.9% në mesin e vitit 2025, niveli i dytë më i lartë në rajon pas Serbisë.

 

Mali i Zi, OTP me normën më të lartë mes bankave të mëdha

Në Mal të Zi, sektori bankar realizoi rreth 511 milionë euro të ardhura dhe 172.6 milionë euro fitim para tatimit në vitin 2025, me normë mesatare fitimi prej 33.8%.

“Crnogorska Komercijalna Banka”, pjesë e grupit OTP, kryesoi tregun me 153.9 milionë euro të ardhura dhe 65 milionë euro fitim para tatimit, me normë 42.2%. “NLB Banka” realizoi 79 milionë euro të ardhura dhe 30.9 milionë euro fitim, me normë 39.1%, ndërsa “Hipotekarna Banka” regjistroi 73.8 milionë euro të ardhura dhe 24.8 milionë euro fitim, me normë 33.6%.

“Erste Bank” raportoi 60.2 milionë euro të ardhura dhe 21.8 milionë euro fitim, me normë 36.2%. Ndërkohë, “Universal Capital Bank” regjistroi normë fitimi prej 36.4%.

Sipas krahasimit të OeNB-së, kthimi nga kapitali aksioner i sektorit bankar malazez ishte 15.1% në mesin e vitit 2025, niveli më i ulët ndër gjashtë vendet e rajonit.

 

Burimi: Bankat Qendore

 

 

LEXONI EDHE:

Bankat, si ndahet tregu prej 9 miliardë eurosh i Ballkanit Perëndimor, cila fiton më shumë

 

Agjencitë e këmbimeve valutore hyjnë për herë të parë në listë

Ndonëse Shqipëria ka si monedhë zyrtare Lekun, Euro përdoret gjerësisht në ekonomi, sidomos për transaksionet me vlera të mëdha. Blerjet e pasurive të paluajtshme, veçanërisht apartamenteve, por edhe të automjeteve, kryhen shpesh në Euro. Turizmi është një tjetër burim i rëndësishëm i valutës në treg, ndërsa remitancat dhe investimet e huaja shtojnë më tej prurjet valutore.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, transaksionet e këmbimit valutor në vitin 2025 arritën në rreth 20 miliardë euro.

Rritja e volumit të këmbimeve valutore po reflektohet edhe në rezultatet financiare të operatorëve kryesorë të tregut.

“Iliria ’98”, një nga operatorët më të mëdhenj të këmbimit valutor në vend, shënoi në vitin 2025 hyrjen për herë të parë të një shoqërie nga ky segment në renditjen e “Monitor 200” sipas fitimeve.

Sipas bilancit zyrtar, “Iliria-98” raportoi të ardhura prej 488 milionë lekësh në 2025-n, me një rritje të fortë prej 58%. Edhe fitimet para taksave u zgjeruan me 81%, në 321 milionë lekë.

“Iliria ’98” është një nga operatorët më të vjetër të këmbimit valutor në Shqipëri, e themeluar në vitin 1998. Sipas faqes zyrtare, kompania e nisi aktivitetin me një pikë të vetme këmbimi dhe është zgjeruar gradualisht në një rrjet prej 14 pikash.

Shoqëria ofron këmbimin e më shumë se 25 monedhave të huaja dhe ka mbi 70 punonjës. Sipas të dhënave që publikon vetë, ajo u shërben mesatarisht mbi 12,500 klientëve në ditë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2025 në vend ushtronin aktivitetin 592 zyra të licencuara të këmbimit valutor, nga 642 në fund të vitit 2024. Gjatë vitit u dhanë 33 licenca të reja, ndërsa u revokuan 83 licenca.

 

 

BIEN FITIMET E MIKROFINANCËS

Sektori i mikrofinancës në Shqipëri ka përfituar nga rritja e kërkesës për kredi të vogla, por njëkohësisht ka qenë në fokus të kritikave për mungesë transparence, interesa të larta dhe shfrytëzim të huamarrësve vulnerabël.

Operatorët që ofrojnë hua të vogla, të disbursuara brenda një kohe të shkurtër dhe me kërkesa minimale dokumentacioni, janë shtuar ndjeshëm në vitet e fundit. Këto institucione synojnë një pjesë të tregut që shpesh mbetet jashtë sistemit bankar tradicional, individë me të ardhura të ulëta, të vetëpunësuar, apo biznese të vogla që kanë nevojë për financime urgjente.

Edhe në tregun e mikrofinancës, performanca financiare e kompanive kryesore ka vazhduar ecurinë pozitive.

Megjithatë, fitimet kanë pësuar rënie, sidomos për shkak të paketës së masave të Bankës së Shqipërisë, që ka ulur vazhdimisht normat maksimale të lejuara të interesit për kredinë konsumatore dhe ka vendosur kërkesa për aplikimin e kritereve më rigoroze për administrimin e rrezikut.

Që nga fillimi i vitit 2022, Banka e Shqipërisë zbaton Normën Efektive Maksimale të Interesit (NEI Maksimal) për kreditë konsumatore, me qëllim mbrojtjen e klientëve nga çmime potencialisht abuzive.

Ky tregues përditësohet çdo gjashtë muaj dhe përcaktohet në bazë të mesatares së normave efektive të interesit të kredive të disbursuara më parë, të shtuar me një të tretën e vlerës. Qëllimi ishte mbrojtja e konsumatorit nga normat potencialisht abuzive të interesit, të aplikuara kryesisht nga disa institucione financiare jobanka.

Nga fillimi i vitit 2025 u vendosën kritere më të forta për aftësinë paguese të huamarrësve, kufizime për mbingarkesën me borxh dhe ulje të kostos maksimale të lejuar për kreditë e vogla konsumatore.

Një nga kufizimet kryesore ishte vendosja e raportit maksimal të shërbimit të borxhit në 60% të të ardhurave mujore neto.

Një institucion financiar jobankë nuk mund t’i japë të njëjtit huamarrës më shumë se dy kredi konsumatore në të njëjtën kohë. Institucionet u detyruan gjithashtu të verifikojnë më në detaje të ardhurat dhe aftësinë paguese, veçanërisht për të vetëpunësuarit dhe personat me të ardhura sezonale ose të parregullta.

Banka e Shqipërisë uli normën maksimale efektive të interesit për kreditë konsumatore deri në 200 mijë lekë. Ndryshe nga më parë, kur tavani llogaritej si mesatarja e normës efektive të interesit e shtuar me një të tretën, për këtë kategori kredish, tavani u barazua me mesataren e thjeshtë të normës efektive të interesit.

ECFA deklaroi fitime prej 593 milionë lekësh. Të ardhurat ishin 3.1 miliardë lekë. Sipas raportit vjetor, gjatë këtij viti janë procesuar 169,926 aplikime, dhe janë lëvruar 110,255 kredi.

Nga këto kredi, 80% të tyre janë nga klientë të përsëritur. Shuma e kredive të dhëna ishte 55 milionë euro, nga 57 milionë euro vitin e mëparshëm. Kredia me këste ishte produkti dominues gjatë gjithë vitit 2025, me aplikime mujore që lëvizën nga rreth 8,228 në qershor në 10,858 në dhjetor.

“IuteCredit Albania” ka shënuar në vitin 2025 fitime para taksave 502 milionë lekë, me rënie 9%, pas tkurrjes prej 27% vitin e mëparshëm. Norma e kthimit ishte 12.2%, nga 18.8% vitin e mëparshëm.

Të ardhurat e kompanisë ishin 4.1 miliardë lekë, me rritje 4% në raport me vitin e mëparshëm.

Sipas raportit vjetor, kjo rënie lidhet me rritjen e kostove të provigjoneve të kredisë dhe të financimeve, si dhe me uljen e marzheve të të ardhurave totale nga aktiviteti i kredidhënies.

Shpenzimet për interesa janë rritur me 18%, si rezultat i financimeve të shtuara brenda dhe jashtë vendit. Shpenzimet e personelit kanë shënuar rritje prej 11%. Shpenzimet e tjera administrative janë rritur me 3%, duke reflektuar stabilitet të shoqërisë në vitin 2025.

“Fondi Besa” kishte fitime rreth 279 milionë lekë në vitin 2025, me rritje prej 15% në raport me vitin e mëparshëm, me normë rreth 7.5%, pothuajse njëlloj me vitin e mëparshëm.

Fondi raportoi të ardhura në vitin 2025 prej 3.7 miliardë lekësh, me rritje 11% me bazë vjetore, duke pasur performancë pozitive, ndryshe nga operatorët e tjerë të këtij segmenti.

 

 

SIGURIMET RRISIN FITIMET

Kompanitë e sigurimeve në tregun e Jo-Jetës e mbyllën të gjitha me fitim vitin 2025, ndërsa shumica e tyre e përmirësuan rezultatin financiar krahasuar me një vit më parë.

Sipas shifrave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), fitimi total në nivel tregu sigurimesh për 2025 arriti në 3.54 miliardë lekë ose 36.6 milionë euro. Fitimi i tregut u rrit me 55.8% krahasuar me një vit më parë.

Edhe normat e fitimit, që historikisht në segmentin e sigurimeve kanë qenë të ulëta në nivele njëshifrore, kanë arritur deri në 31% dhe për pjesën më të madhe të operatorëve janë mbi 10%.

“Sigal Insurance Group”, operatori më i madh i sigurimeve në treg, raportoi për aktivitetin e Shqipërisë një fitim para taksave prej gati 1.5 miliardë lekësh, me më se trefishim në raport me vitin e mëparshëm.

Përmirësimi i fortë i fitimit u përcaktua pjesërisht nga rritja e të ardhurave neto nga veprimtaria e sigurimit, por sidomos nga rritja e zërit të të ardhurave të tjera, kryesisht nga rimbursimi i dëmeve.

Ndërkohë, edhe shpenzimet neto për dëme ishin në rënie. Të ardhurat e shoqërisë ishin gati 7 miliardë lekë, me rritje 19% me bazë vjetore.

“Eurosig” për vitin 2025 raportoi fitim para taksave në vlerën e 931 milionë lekëve, në rritje me 12% krahasuar me një vit më parë. “Eurosig” raportoi rritje të primit të fituar neto me gati 10%, por kjo rritje u balancua nga rënia e të ardhurave financiare nga investimet dhe nga rritja e shpenzimeve, duke përfshirë ato për dëme.

Përcaktuese në rezultatin financiar me fitim dhe me një rritje të lehtë ishte një e ardhur shtesë në zërin “fitime të tjera”, e paspecifikuar më tej në pasqyrat financiare të kompanisë.

Të ardhurat e shoqërisë ishin 3.4 miliardë lekë në 2025-n, me zgjerim rreth 9%.

“Albsig” për vitin 2025 raportoi një fitim 455 milionë lekë, në rritje me 24% krahasuar me një vit më parë. Përcaktues në rritjen e fitimit të “Albsig” ishte rritja e të ardhurave neto, kryesisht të të ardhurave neto nga primet e sigurimit, si dhe rritja në zërin e të ardhurave nga shitja e aktiveve afatgjata materiale neto.

Të ardhurat e shoqërisë ishin 4.8 miliardë lekë, me zgjerim gati 9%.

“Sigma Vienna Insurance Group” e mbylli vitin 2025 me fitim para taksave në vlerën e 380 milionë lekëve, me rritje 9% me bazë vjetore. Të ardhurat rezultuan në 3.7 miliardë lekë, ose 4% më shumë se viti i mëparshëm.

Klaidi Çitozi, Drejtor i Përgjithshëm i “Sigma Vienna Insurance Group”, ka pohuar më herët për “Monitor” se “2025-a ishte një vit pozitiv për ‘SIGMA Vienna Insurance Group’, si në drejtim të zhvillimit të portofolit, ashtu edhe në konsolidimin e mëtejshëm të pozicionit tonë në treg.

Kemi vijuar të rritemi në mënyrë të qëndrueshme, duke ruajtur njëkohësisht disiplinën teknike, cilësinë e portofolit dhe fokusin e pandryshuar te shërbimi ndaj klientit.

Konkretisht, gjatë vitit 2025, të ardhurat nga primet u rritën me 11%, ndërsa kompania ruajti një peshë prej rreth 13% të totalit të tregut. Kjo performancë u reflektua edhe në rezultatet financiare, me një fitim prej rreth 3.5 milionë eurosh, duke konfirmuar një zhvillim të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të aktivitetit”.

INSIG gjithashtu përmirësoi performancën për vitin 2025, me një fitim në vlerën e 244 milionë lekëve, në rritje 5.4 herë, krahasuar me një vit më parë. Kjo tendencë u përcaktua kryesisht nga rritja e primit të fituar neto. Të ardhurat ishin 1.9 miliardë lekë, me zgjerim 14%.

“Intersig” e mbylli vitin me fitim në vlerën e 220 milionë lekëve, në rritje me 15.2% krahasuar me një vit më parë. Faktori kryesor ishte përmirësimi i primit të fituar neto. Të ardhurat ishin 2.7 miliardë lekë, me zgjerim 7%.

Edhe “Atlantik” e mbylli vitin 2025 me fitim para taksave në vlerën e 176 milionë lekëve, por me rënie prej 7% krahasuar me vitin 2024. Rënia e fitimit ka ardhur kryesisht si rezultat i zgjerimit të vlerës së dëmeve neto të paguara. Të ardhurat ishin 1.6 miliardë lekë, me zgjerim 13%.

 

 

 

LEXONI EDHE: 

Sigurimet, rajoni me treg të vogël dhe fitime modeste

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Kosto të larta dhe çmime të ulëta, si po mbetet stok vaji i ullirit  

Vaji i ullirit rrezikon të mbetet stok i pashitur në shtëpitë e fermerëve, për shkak të mungesës së tregut. Grumbullimi dhe eksportet janë pothuajs...

8 minutes më parë 15 Min Lexim

Telefonia celulare, fitimet në nivelin më të lartë në 12 vjet, krahasimi me rajonin

Operatorët e telefonisë së lëvizshme kanë shënuar përmirësim të përfitueshmërisë për të tretin vit radhazi, pasi tregu ka mbetur sërish me dy opera...

12 minutes më parë 9 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!