Friday / November 27 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
200 kompanitë me fitime më të mëdha, 2025 Lajmet Kryesore Nga Vendi Telekomunikacion

Telefonia celulare, fitimet në nivelin më të lartë në 12 vjet, krahasimi me rajonin

Share Share Icon

Operatorët e telefonisë së lëvizshme kanë shënuar përmirësim të përfitueshmërisë për të tretin vit radhazi, pasi tregu ka mbetur sërish me dy operatorë, nga katër e më pas tre që ishin më parë.

Në 2025-n, fitimet në vlerë arritën në nivelin më të lartë që nga viti 2013, por mbeten gjithsesi larg viteve të artë të 2008-2009, kur i kaluan 100 milionë euro në vit dhe kishin norma fitimi që i kalonin 50%.

“Vodafone Albania”, operatori më i madh në treg, nuk ka dorëzuar ende bilancin për vitin 2025, por të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) bëjnë të ditur se fitimet para taksave arritën në 2.2 miliardë lekë, nga 1.6 miliardë lekë në vitin 2024.

Të ardhurat e kompanisë ishin rreth 19.7 miliardë lekë, sipas të dhënave paraprake nga AKEP. Norma e fitimit para taksave ishte 11.1%, nga 6.3% vitin e mëparshëm.

Edhe “One Albania”, operatori i dytë në treg edhe në vitin 2025, e ka përmirësuar ndjeshëm rezultatin krahasuar me vitet e fundit. “One Albania” realizoi 15.8 miliardë lekë të ardhura në vitin 2025, me rënie 3.4% krahasuar me një vit më parë, ndërsa fitimi para tatimit u rrit nga 767 milionë në 2.1 miliardë lekë, pothuajse trefishim.

Sipas pasqyrave financiare, rënia e xhiros erdhi kryesisht nga tkurrja e eksporteve të shërbimeve, ndërsa të ardhurat nga aktiviteti kryesor i telekomunikacionit u rritën. Kompania regjistroi rritje prej 18% të të ardhurave nga abonentët celularë me kontratë, ndërsa ato nga klientët me parapagesë ranë. Përmirësimi i fitimeve u mbështet kryesisht te ulja e kostos së shitjeve me rreth 1.6 miliardë lekë dhe reduktimi i shpenzimeve administrative.

Ndonëse tregu i telekomunikacioneve nuk është më ai i një dekade më parë, kur fitimet ishin të garantuara dhe normat e fitimit para taksave i kalonin edhe 50%, rikthimi i duopolit po jep rezultate në përmirësimin e përfitueshmërisë. Në total, dy operatorët celularë fituan afërsisht 4.4 miliardë lekë në 2025-n, pothuajse dyfishi i një viti më parë.

AKEP-i pranon në raportin vjetor 2025, se analiza e tregut sipas indikatorëve kryesorë, duke përfshirë trafikun e thirrjeve dhe të dhënave, konfirmon përqendrimin e lartë dhe natyrën duopolistike të tregut, me indekse HHI mbi 5,000.

Ulja e numrit të operatorëve në tregun celular ka sjellë rritje graduale të çmimeve në tre vitet e fundit, si për planet tarifore me kontratë, ashtu edhe për paketat me parapagesë.

I shtrenjtë është dhe interneti. Sipas të dhënave nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacioneve (ITU), të cituara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), kosto mesatare e shportës mujore të internetit me brez të gjerë për vitin 2025 në Shqipëri ishte sa 1.69% e të ardhurave mujore bruto (GNI).

Me një nivel të tillë, Shqipëria renditet ndjeshëm sipër vendeve të tjera të rajonit dhe mesatares botërore. Pas Shqipërisë, renditet Maqedonia e Veriut, me 1.31% të GNI, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina, me 1.17%, Mali i Zi me 1.01% dhe Serbia, me 0.96%. ITU nuk i publikon të dhënat për Kosovën.

Sipas Eurostat-it, që raporton indeksin e çmimeve sipas fuqisë blerëse, për herë të parë në vitin 2023, çmimet e komunikimit kaluan mesataren e BE-së dhe në vitin 2025 u shtrenjtuan më tej, për të arritur në 107.6%.

Në vitin 2022, viti më i hershëm kur ka të dhëna Eurostat, çmimet e komunikimit në Shqipëri ishin rreth 9% më të ulëta se mesatarja e BE-së.

Deri në vitin 2008, shoqëritë e telekomunikacioneve ishin ndër më fitimprurëset në vend. Në vitin 2008, më i miri historik, fitimet e ish-“One Albania” dhe “Vodafone” arritën në mbi 200 milionë euro së bashku, me një normë fitimi para taksave prej përkatësisht 57.5% dhe 50.7%, sipas bilanceve zyrtare.

Në vitin 2008, “ALBtelecom” nisi shërbimet celulare me markën “Eagle Mobile”, ndërsa në vitin 2010 hyri operatori vendas “Plus Communication”, duke e çuar numrin e operatorëve në katër.

Maturimi i tregut, shtimi i konkurrencës, kalimi nga bisedat zanore e mesazheve drejt përdorimit të të dhënave dhe thirrjeve përmes internetit, nevojat e vazhdueshme për të investuar në teknologji, uljet e vazhdueshme të tarifave të “roaming” sollën si rrjedhojë që operatorët të shihnin rënie të vazhdueshme të përfitueshmërisë.

Në vitin 2018, operatori me kapital shqiptar “Plus” u mbyll për shkak të vështirësive financiare, ndërsa tregu filloi një fazë ristrukturimesh. AMC, që më vonë u bë “Telekom Albania”, u ble në 2019 nga “Albania Telecom Invest” dhe u ribrandua si “ONE Telecommunications” në vitin 2021.

Në vitin 2023, ONE dhe “ALBtelecom” u bashkuan nën grupin hungarez “4iG”, në operatorin e vetëm “One Albania”, duke krijuar sërish një treg duopol. Duke filluar nga data 1.1.2023 në treg janë vetëm dy operatorë celularë: “Vodafone Albania” sh.a. dhe “One Albania” sh.a.

 

Burimi: AKEP, QKB

 

Telekomunikacioni në rajon, norma dyshifrore fitimi

Kompanitë e telekomunikacionit në Ballkanin Perëndimor kanë regjistruar norma relativisht të larta fitimi në vitin 2025, përgjithësisht nga 11% në 20% të të ardhurave.

Përjashtim bën operatori MTEL në Mal të Zi, që raportoi një normë fitimi gati 42%. Telefonia celulare mbetet një nga shërbimet kryesore të këtyre kompanive, por aktiviteti i tyre përfshin edhe internetin, telefoninë fikse dhe shërbimet televizive, të cilat kontribuojnë në të ardhurat dhe fitimet e raportuara.

 

 

Serbia, tregu më i madh me mbi 350 milionë euro fitime

Serbia ka kompanitë më të mëdha të telekomunikacionit në rajon, si për të ardhurat, ashtu edhe për fitimet. “Telekom Srbija”, kompania shtetërore që operon nën markën MTS, realizoi 1.67 miliardë euro të ardhura dhe 211.4 milionë euro fitim neto në vitin 2025, me një normë fitimi prej 12.7%.

Kompania ofron telefoni celulare dhe fikse, internet dhe shërbime televizive, ndërsa ka zgjeruar aktivitetin edhe në tregjet e tjera të rajonit.

“Yettel”, një nga operatorët kryesorë të telefonisë celulare, raportoi 600.8 milionë euro të ardhura dhe 92.1 milionë euro fitime, me normë prej 15.3%. “A1 Srbija” realizoi 430.5 milionë euro të ardhura dhe 48.3 milionë euro fitime, me normë 11.2%.

Të tre operatorët së bashku realizuan rreth 2.7 miliardë euro të ardhura dhe 351.8 milionë euro fitime neto. “Telekom Srbija” përfaqëson pjesën më të madhe të të ardhurave, ndërsa “Yettel” regjistron normën më të lartë të fitimit mes tre kompanive.

 

Mali i Zi, MTEL me normë fitimi 41.8%

Në Mal të Zi spikat MTEL, pjesë e grupit “Telekom Srbija”, që realizoi 183.4 milionë euro të ardhura dhe 76.7 milionë euro fitim neto në vitin 2025, me normë fitimi 41.8%.

Sipas pasqyrës financiare të depozituar në administratën tatimore malazeze, fitimi u rrit më shumë se pesë herë krahasuar me vitin 2024, i ndikuar nga rritja e fortë e shitjeve, por edhe nga 20.6 milionë euro të ardhura të tjera operative, kundrejt 2.3 milionë eurove një vit më parë. Pasqyra nuk e detajon burimin e këtyre të ardhurave, ndërsa shpenzimet operative u rritën me ritme shumë më të ulëta sesa të ardhurat.

Dy konkurrentët e tjerë regjistruan norma më të ulëta. “Crnogorski Telekom”, pjesë e grupit “Deutsche Telekom”, raportoi 94.3 milionë euro të ardhura dhe 7.7 milionë euro fitime, me normë 8.2%, ndërsa “One Crna Gora” kishte 69.7 milionë euro të ardhura dhe 12.5 milionë euro fitime, me normë 17.9%.

Të tre operatorët realizuan së bashku 347.4 milionë euro të ardhura dhe 96.9 milionë euro fitime neto. MTEL përqendroi rreth 79% të fitimeve të tyre të kombinuara.

 

Maqedonia e Veriut, “Makedonski Telekom” me fitime pothuajse dyfish më të larta se A1

Në Maqedoninë e Veriut, dy kompanitë kryesore të telekomunikacionit kanë përmasa relativisht të afërta, por rezultate të ndryshme financiare.

“Makedonski Telekom”, pjesë e grupit “Deutsche Telekom”, realizoi 206.3 milionë euro të ardhura dhe 40.5 milionë euro fitim neto në vitin 2025, me normë fitimi 19.6%. Përveç telefonisë celulare, kompania ofron shërbime të telefonisë fikse, internetit dhe televizionit.

Konkurrenti “A1 Macedonia” raportoi 187.8 milionë euro të ardhura dhe 21 milionë euro fitime, me normë 11.2%.

Megjithëse diferenca në të ardhura mes dy kompanive është vetëm rreth 10%, fitimi neto i “Makedonski Telekom” është pothuajse dyfishi i atij të A1. Së bashku, dy operatorët realizuan 394.1 milionë euro të ardhura dhe 61.5 milionë euro fitime neto.

 

Bosnjë-Hercegovina, tre operatorë me diferenca të mëdha në fitime

Në Bosnjë-Hercegovinë, tregu i telekomunikacionit ndahet kryesisht mes tre operatorëve të mëdhenj, të cilët ofrojnë telefoni celulare e fikse, internet dhe shërbime televizive.

“BH Telecom”, me qendër në Sarajevë, realizoi 289.5 milionë euro të ardhura dhe 35.7 milionë euro fitim neto, me normë 12.3%.

“Telekom Srpske”, që operon nën markën “M” dhe kontrollohet nga grupi “Telekom Srbija”, raportoi 267.7 milionë euro të ardhura dhe 39.6 milionë euro fitime, me normë 14.8%. Megjithëse kishte xhiro më të ulët se “BH Telecom”, kompania realizoi fitime më të larta.

“HT Mostar”, operatori i tretë, regjistroi 112.3 milionë euro të ardhura dhe vetëm 1.5 milionë euro fitim neto, me normë 1.3%.

Të tre operatorët së bashku realizuan 669.5 milionë euro të ardhura dhe 76.8 milionë euro fitime neto.

 

Kosova, “Telekomi i Kosovës” me normë fitimi 14.3%

Në Kosovë, “Telekomi” i Kosovës”, kompania shtetërore që operon nën markën “Vala”, realizoi 67.8 milionë euro të ardhura dhe 9.7 milionë euro fitim neto në vitin 2025, me një normë prej 14.3%. Telefonia celulare përbën aktivitetin kryesor, krahas shërbimeve të tjera të telekomunikacionit.

Në treg operon edhe IPKO, një nga ofruesit kryesorë të telefonisë celulare, internetit dhe televizionit, por kompania nuk ka dorëzuar bilanc për 2025-n.

 

 

 

Lexoni edhe:

200 kompanitë me fitime më të larta; Ekonomia e shtrembëruar nga tenderat dhe informaliteti

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Kosto të larta dhe çmime të ulëta, si po mbetet stok vaji i ullirit  

Vaji i ullirit rrezikon të mbetet stok i pashitur në shtëpitë e fermerëve, për shkak të mungesës së tregut. Grumbullimi dhe eksportet janë pothuajs...

8 minutes më parë 15 Min Lexim

Fitimet e sektorit financiar, si krahasohen me rajonin

Bankat shqiptare realizuan 429 milionë euro fitim para tatimit në vitin 2025, me normën më të ulët të fitimit ndaj të ardhurave në Ballkanin Perënd...

10 minutes më parë 24 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!