Pas më shumë se 12 orësh reshjesh intensive shiu, të cilat përfshinë qytetin e Vlorës gjatë ditës së sotme, rreth orës 21:30 reshjet kanë pushuar. Megjithatë, situata mbetet problematike në disa zona të qytetit, për shkak të pranisë së ujit.

Problematike paraqitet situata në zonën e Pavarësisë 3, e njohur nga banorët e Vlorës edhe si zona e Albano dhe Rominës, ku uji vijon të jetë i pranishëm në rrugë, duke vështirësuar qarkullimin.

Ndërkohë, punonjësit e Ujësjellës-Kanalizimeve Vlorë ndodhen në terren për të monitoruar situatën, si dhe për të ndërhyrë në pastrimin e pusetave.

Pavarësisht ndërprerjes së reshjeve, prurjet dhe uji i akumuluar kërkojnë ende monitorim nga strukturat përkatëse.

Gjatë ditës së sotme, prezencë uji është shënuar në disa rrugë dhe lagje të Vlorës, por në orët e mbrëmjes vetëm rruga “Albano dhe Romina” ka mbetur nën ujë.