E premte, 27 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Shërbimi sekret serb përgjoi vëzhguesit e OSBE-së gjatë zgjedhjeve të vitit 2023
Bota

Shërbimi sekret serb përgjoi vëzhguesit e OSBE-së gjatë zgjedhjeve të vitit 2023

Një investigim i Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative zbulon se agjentët e BIA-s monitoruan lëvizjet, takimet dhe ambientet e akomodimit të vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët vetë autoritetet serbe i kishin ftuar për të mbikëqyrur procesin zgjedhor.

Agjencia e Informacionit të Sigurisë së Serbisë (BIA) ka mbajtur nën mbikëqyrje të fshehtë vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE-së gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 17 dhjetorit 2023, zbulon një investigim i Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative (BIRN).

Sipas investigimit, shërbimi sekret serb angazhoi më shumë se një duzinë agjentësh për të monitoruar dy anëtarë të misionit të Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), gjermanen Jana Burgers dhe irlandezin Brian MacMahon.

Dy vëzhguesit mbërritën në Beograd më 19 nëntor 2023 dhe tri ditë më vonë u zhvendosën në Novi Sad, ku do të monitoronin fushatën zgjedhore, financimin e partive, mbulimin mediatik, rastet e mundshme të frikësimit të votuesve dhe keqpërdorimin e burimeve shtetërore.

Fotografitë që ka siguruar BIRN tregojnë se agjentët e BIA-s nisën monitorimin që në momentin e mbërritjes së vëzhguesve në hotelin “Putnik”, duke ndjekur lëvizjet dhe takimet e tyre, përfshirë kontaktet me shoferin dhe asistentin.

Sipas informacioneve të siguruara nga gazetarët, agjentët dispononin çelësat e dhomave të hotelit dhe kishin angazhuar personel për kontrollimin e tyre. Shërbimi sekret serb kishte siguruar gjithashtu adresat e apartamenteve private, të dhënat e pronarëve dhe kodet e hyrjes në ndërtesa, përpara se vëzhguesit të zhvendoseshin në këto ambiente.

Të dy vëzhguesit deklaruan se nuk kishin dijeni për mbikëqyrjen dhe se mësuan për operacionin e BIA-s vetëm pasi gazetarët e BIRN-it i kontaktuan.

“Kjo është një ndërhyrje e papranueshme në misione. Ne u ftuam vullnetarisht dhe më pas na vunë nën mbikëqyrje. Nuk kam hasur kurrë diçka të tillë, megjithëse kam marrë pjesë në shumë misione”, deklaroi MacMahon.

Jana Burgers theksoi se metodologjia e misioneve të ODIHR-it mbështetet në transparencë, ndërsa shprehu shqetësim për qëllimin e mbikëqyrjes së fshehtë. Ajo tregoi gjithashtu se gjatë qëndrimit në Serbi kishte marrë dëshmi nga përfaqësues të opozitës për kërcënime dhe raste dhune fizike.

Operacioni i mbikëqyrjes përkon me ndryshimet në drejtimin e shërbimit sekret serb. Aleksandër Vulin dha dorëheqjen nga posti i drejtorit të BIA-s më 3 nëntor 2023, ndërsa drejtimin e agjencisë e mori zëvendësi i tij, Tomislav Radovanoviç, të cilin autoritetet e emëruan drejtor të përkohshëm në dhjetor të atij viti.

BIA nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN-it lidhur me arsyet e monitorimit dhe nëse agjentët kishin autorizim gjyqësor për kryerjen e operacionit. Edhe ODIHR nuk komentoi informacionet mbi mbikëqyrjen e fshehtë të anëtarëve të misionit të tij.

Misioni afatgjatë i ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të dhjetorit 2023 përbëhej nga 30 vëzhgues nga 12 vende.

Zbulimet e BIRN-it ngrenë pikëpyetje serioze mbi respektimin e pavarësisë së misioneve ndërkombëtare të vëzhgimit zgjedhor dhe përdorimin e shërbimeve të inteligjencës nga autoritetet serbe. Beogradi, nga njëra anë, ftoi zyrtarisht vëzhguesit ndërkombëtarë për të monitoruar zgjedhjet, ndërsa, sipas investigimit, nga ana tjetër, shërbimi sekret i nënshtroi ata një operacioni të fshehtë mbikëqyrjeje./BIRN

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.