Një Audi A6 i ngarkuar me 136 kilogramë substancë të dyshuar narkotike, një ndjekje policore me shpejtësi të madhe, aksidente trafiku me të lënduar dhe të shtëna me armë zyrtare.
Kështu është zhvilluar operacioni i sotëm i Antidrogës në rajonin e Ferizajt, që ka rezultuar me arrestimin e tre personave, ndërsa një i dyshuar tjetër ndodhet në arrati.
Sipas burimeve të Sinjalit, në timonin e Audit A6, me ngjyrë të zezë, në të cilin po transportohej sasia e dyshuar e narkotikëve, ishte Taulant Etemi.
Operacioni është zhvilluar mëngjesin e së premtes, më 27 nëntor, rreth orës 10:25, pas një hetimi të zhvilluar nga Antidroga e Ferizajt, në koordinim me Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Ferizaj.
Ndjekja policore që përfundoi me aksidente dhe të shtëna
Në momentin kur zyrtarët policorë i kishin sinjalizuar Etemit të ndalej në autostradën “Arbër Xhaferi”, ai dyshohet se kishte nisur ikjen me shpejtësi të madhe.
Ndjekja kishte vazhduar nga autostrada në magjistralen Ferizaj–Kaçanik, ku i dyshuari dyshohet se kishte shkaktuar aksidente trafiku me lëndime trupore dhe dëme materiale, duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve dhe të zyrtarëve policorë.
Për shkak të rrezikut të krijuar gjatë ndjekjes, një zyrtar policor kishte përdorur armën zyrtare, duke shtënë në drejtim të të dyshuarit dhe automjetit.
Ndjekja kishte përfunduar në afërsi të “Mileniumit”, ku Audi kishte dalë jashtë rrugës dhe Etemi ishte arrestuar.
Ngarkesa me vlerë mbi çerek milioni euro
Gjatë operacionit, hetuesit kanë sekuestruar gjithsej 121 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 136.33 kilogramësh.
Sipas vlerësimit të siguruar nga Sinjali, vlera e kësaj sasie të narkotikëve në treg tejkalon 250 mijë euro.
Përveç narkotikëve, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar edhe:
Tri vetura;
Një motoçikletë;
Katër telefona celularë;
1 mijë e 90 euro para të gatshme;
100 franga zvicerane.
I dyshuari i katërt dyshohet se ka ikur në Maqedoninë e Veriut
Në kuadër të të njëjtit operacion, dy persona të tjerë janë arrestuar në autostradën “Arbër Xhaferi”, ndërsa personi i katërt i dyshuar për përfshirje në këtë rast ka arritur t’i shmanget arrestimit.
Hetuesit dyshojnë se ai ka kaluar ilegalisht kufirin me Maqedoninë e Veriut, në zonën e Hanit të Elezit.
Në realizimin e operacionit janë angazhuar njësitë e Antidrogës nga Ferizaj, Prizreni dhe Gjilani, njësitë mbështetëse, Njësia Rajonale e Shpejtë e Reagimit, patrullat policore dhe Policia Kufitare.
Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, të tre personat e arrestuar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për këtë rast po vazhdojnë.