Barcelona dhe Real Madridi kanë nisur kontaktet përmes ndërmjetësuesve për një transferim të mundshëm të Erling Haalandit në vitin 2027.
Sipas raportimeve të “TEAMtalk”, dy gjigantët e futbollit spanjoll janë duke i përcjellë nga afër zhvillimet rreth sulmuesit norvegjez, i cili aktualisht është pjesë e Manchester Cityt.
Në garë për shërbimet e 25-vjeçarit janë edhe Bayern Munichu dhe Paris Saint-Germaini, por interesimi më konkret raportohet të jetë nga dy rivalët e mëdhenj spanjollë.
Haaland ka kontratë me Manchester Cityn deri në vitin 2034, mirëpo Barcelona dhe Real Madridi besojnë se marrëveshja përmban mekanizma që mundësojnë largimin e tij para përfundimit të kontratës. Një pretendim që është mohuar nga kampi i klubit anglez.
Një tjetër detaj interesant është se norvegjezi nuk ka shprehur interesim për t’u transferuar te ndonjë klub tjetër në Premierligë.
E ardhmja e Haalandit pritet të jetë një prej temave më të nxehta të merkatos, me Barcelonën dhe Real Madridin që mund të përballen për një nga sulmuesit më të kërkuar në futbollin evropian.