
Dy këshilltarë bashkiakë të grupit të PS- së në Shkodër, kanë bashkuar votat me këshilltarët e PD- së në abstenim për një projekt cross- border, i cili për një votë, nuk u miratua. Projekti i përbashkët, i fituar nga fondet e Bashkimit Europian, me vlerë totale 866 mijë euro e diçka më shumë, përfshinte Komunën e Ulqinit dhe World Vision. Nuk dihet si ka shkuar fati i këtij projekti në Këshillin Komunal të Ulqinit, por deri në miratimin e mundshëm nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës, as Ulqini e as World Vision, nuk mund ta përfitojnë.
Ndërsa nuk kanë shumë rëndësi emrat e këshilltarëve që abstenuan duke u reshtuar në linjë me opozitën lokale, mbase ia vlen që kjo çeshtje të shtrihet më tej, rreth 6 muaj nga dita kur partitë politike do të prezantojnë para shkodranëve si bashki, emrat e kandidatëve për kryebashkiak dhe këshilltarë bashkiakë.
Pyetja është e njëjta, tash mëse 35 vite: Në lista duhet të ketë rigorozisht figura politike të partive politike apo edhe përfaqësues jashtë tyre, si shoqëria civile, figura të paangazhuara politikisht e të tjera të ngjashme në koncept me to?
E meqenëse po flitet për ndryshime në Kodin Zgjedhor, a mos do të ishte më mirë që vullneti fillestar i partive politike për listat me 51 kandidatë për këshilltarë për çdo subjekt, të lihet krejtësisht e hapur për përzgjedhjen finale të shkodranëve?
Pyetja e parë, asnjëherë nuk ka marrë përgjigje. Këto 35 vite, asnjëherë, në asnjë forcë politike, listat e kandidatëve për këshilltarë nuk kanë qenë politike, me përfaqësues të zgjedhur nga dhe për strukturat respektive të partive garuese. Rezultati? Në jo pak raste, qoftë në nivelin lokal por edhe kombëtar, përfaqësues politikë me mandat por të zgjedhur jashtë strukturave të partive, nuk i janë bindur vendimeve të forumeve të tyre. Tradita e krijuar këto vite, të paktën në Shkodër, ka qenë që, para mbledhjeve të Këshillit Bashkiak, këshilltarët e një subjekti mblidheshin, diskutonin dhe në fund merrnin një vendim për qendrimin në parlamentin e qytetit. Në jo pak raste, edhe pse kanë qenë kundër, këshilltarët i janë bindur me votë vendimit politik të subjektit të tyre. A është më ky variant në përdorim?! Por edhe në këtë linjë, ata që nuk kanë qenë e nuk janë pjesë e “jetës partiake”, kanë gjithë të drejtën të mos i binden këtij vendimi politik dhe të votojnë si t’ua thotë mendja. Sidomos 6 muaj para zgjedhjeve të tjera, kur nuk dihet nëse do të jenë apo jo pjesë e listës së këshilltarëve.
“Populli, edhe kur gabon, nuk gabon asnjëherë”. Sepse “gabimet” e forumeve të partive, mund ti “korrigjojnë” votuesit, nëse lista e këshilltarëve lihet e hapur sipas preferencave të qytetarëve. E ndoshta, edhe pse koha po ngushtohet, hapja e listave përmes ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, duhej bërë dje, sepse sot është vonë e nesër mbase mund të harrohet sërish.
Këshilltarët bashkiakë, betohen kur marrin detyrën. Sigurisht prioritet është shprehja dhe mbrojtja e interesave të qytetarëve. Në jo pak raste, interesat e qytetarëve, kanë dalë në plan të dytë, përballë interesave, qoftë edhe në formën e “nxjerrjes së inatit”, në interesin personal. Fatmirësisht, mbledhjet e Këshillit Bashkiak transmetohen “live” ndërsa rrjetet sociale, tashmë i japin mundësi çdokujt të informohet në përditshmëri për qasjen edhe të këshilltarëve bashkiakë me institucionin apo drejtuesit e tij.
Tani, 866 mijë euro apo rreth 316 mijë që i përkasin bashkisë Shkodër në këtë projekt cross-border, nuk e shpëtojnë atë por natyrisht, nuk janë as të papërfillshme në vlerën e mbi 310 milion lekëve të vjetër. Me gjasë, as “biografia” e bashkisë së Shkodrës përballë BE- së dhe projekteve të saj, nuk do të cënohet aq rëndë. Por sigurisht, mund të konsiderohet një mundësi reflektimi për të gjithë, nga të gjitha anët, nga të gjitha nivelet. Aq më shumë kur nga zgjedhjet e ardhshme na ndajnë rreth 6 muaj. “Të gabosh është njerëzore, të këmbëngulësh në gabim, është djallëzore” dhe “Kush është pa mëkat, të hedhë gurin e parë”, lum ai që i kujton shpesh! /Nga Sokol N. SOKOLI/




