SYRI TV/ Durrës, punimet përgjysmë izolojnë banorët, situata problematike në rrugën ‘Sefer Efendiu’

22:25, 27/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

SYRI TV

Banorët të cilët jetojnë përgjatë rrugës ‘Sefer Efendiu’ në qytetin e Durrësit kanë ngritur shqetësimin e punimeve për sistemin e kanalizimeve, të cilat janë lënë përgjysëm. Banorët shprehen se ky fakt i ka izoluar tërësisht, ndërsa theksojnë se afati për përfundimin e punimeve është në prill, duket më tepër për efekt elektoral.

Punimet për sistemin e kanalizimeve në rrugën “Sefer Efendiu” në qytetin e Durrësit kanë mbetur në mes, duke krijuar një situatë problematike për banorët e kësaj zone.

Gropat e mëdha të hapura përgjatë rrugës, si dhe mungesa e vijimit të punimeve, e kanë bërë të vështirë lëvizjen si për këmbësorët, ashtu edhe për automjetet. Banorët shprehen të shqetësuar, pasi përditshmëria e tyre është vështirësuar ndjeshëm.

Sipas tyre, në këtë rrugë është thuajse e pamundur të kalohet, ndërsa gërmimet e lëna pa përfunduar përbëjnë një problem të vazhdueshëm. Ata bëjnë me dije se, sipas informacionit që kanë marrë, punimet pritet të përfundojnë në muajin prill.

Ky afat përkon me periudhën e fushatës elektorale, çka ka ngritur edhe dyshimet e banorëve se ndërhyrja do të përfundojë pikërisht në prag të zgjedhjeve.

Banorët kërkojnë nga Bashkia e Durrësit të ndërhyjë për vijimin dhe përfundimin sa më parë të punimeve, duke theksuar se nuk mund të presin deri në muajin prill për të pasur një rrugë të kalueshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco