Bashkëpunimi mes London School of Economics and Political Science (LSE), një prej institucioneve të njohura akademike në Mbretërinë e Bashkuar, dhe Universitetit “Luarasi” po krijon mundësi të reja për studentët shqiptarë, të cilët mund të ndjekin në Shqipëri programe universitare me standarde dhe kurrikula të hartuara në Londër.

Për rëndësinë e këtij partneriteti dhe për mundësitë që ai ofron për studentët shqiptarë foli Dr. James Abdey, zëvendësdrejtor akademik i Programeve Globale dhe profesor i asociuar në Departamentin e Statistikës pranë LSE-së. I ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” në News24, ai vlerësoi bashkëpunimin me Universitetin Luarasi, duke theksuar se synimi i institucionit britanik është të zgjerojë ndikimin e tij përmes partnerëve akademikë të nivelit të lartë.

“Në LSE jemi të vendosur të kemi një ndikim të rëndësishëm përmes bashkëpunimit me institucione të nivelit të lartë si Luarasi, për të sjellë këtë program për herë të parë në Shqipëri”, u shpreh Abdey.

Një nga elementet kryesore të këtij bashkëpunimi është garantimi i standardeve akademike ndërkombëtare. Sipas Dr. Abdey, kurrikula që zhvillohet në Shqipëri është projektuar në Londër dhe studentët e Universitetit Luarasi ndjekin të njëjtat lëndë dhe teste si studentët që studiojnë përmes programeve të LSE-së në vende të tjera.

“LSE siguron standardizimin e të gjitha programeve tona në nivel botëror. Kurrikula këtu në Shqipëri është dizenjuar nga Londra. Studentët bëjnë të njëjtat lëndë dhe teste, të cilat i dërgojmë edhe në Londër për të parë se si po ecin me studimet”, shpjegoi ai.

Abdey theksoi se LSE është pjesë e Universitetit të Londrës dhe se përmes programeve globale kujdeset për standardet akademike në fusha të ndryshme, përfshirë financën dhe shkencën e të dhënave (Data Science). Ai vlerësoi gjithashtu ambicien e Universitetit Luarasi për të zgjeruar ofertën akademike, përfshirë edhe programe të nivelit master, duke u dhënë studentëve mundësi për formim më të gjerë.

Vizita e katërt në Tiranë, LSE monitoron ecurinë e studentëve të Luarasit

Dr. James Abdey bëri të ditur se vizita e tij në Tiranë ishte e katërta në kuadër të bashkëpunimit me Universitetin Luarasi. Ai shpjegoi se LSE zhvillon vizita periodike te partnerët ndërkombëtarë, për të monitoruar zbatimin e programeve, për të analizuar ecurinë e studentëve dhe për të garantuar cilësinë e mësimdhënies.

“Sa herë që vij, flas me pedagogët e programit dhe ndjekim ecurinë e studentëve teksa ata avancojnë drejt diplomimit. Sot zhvilluam sesione për të qartësuar pritshmëritë e tyre nga Londra dhe për të ndarë praktikat më të mira, në mënyrë që studentët e Luarasit të përfitojnë sa më shumë”, tha Abdey.

Ai theksoi se angazhimi i LSE-së nuk kufizohet vetëm te hartimi fillestar i kurrikulës, por shtrihet gjatë gjithë periudhës së studimeve. Sipas tij, ekspertët akademikë janë të përfshirë në projektimin, zhvillimin dhe vlerësimin e programeve, duke bërë analiza të vazhdueshme për studentët në të gjitha vendet ku LSE ka partnerë.

Arsim ndërkombëtar në Shqipëri, mundësi për karrierë dhe përvojë në Londër

Një tjetër avantazh i rëndësishëm i këtij modeli është mundësia që studentët të përfitojnë nga një formim akademik me standarde ndërkombëtare, pa qenë të detyruar të largohen nga Shqipëria për të ndjekur studime në një institucion britanik.

Abdey theksoi se një prej objektivave kryesore të programeve globale të LSE-së është të rrisë mundësitë e studentëve për punësim dhe të minimizojë pengesat që mund t’i ndajnë ata nga një arsim cilësor.

“Ne ofrojmë mundësi për të studiuar në mënyrë sa më efikase nga pikëpamja e kostove, por kemi punuar edhe për të rritur mundësitë e punësimit dhe për të minimizuar pengesat. LSE sjell kurrikulat në Shqipëri dhe u jep brezave të rinj mundësinë të përfitojnë nga një arsim i klasit botëror, duke zhvilluar kapitalin njerëzor këtu në Shqipëri”, deklaroi ai.

Sipas Abdey, ky bashkëpunim synon të krijojë një ekuilibër mes mundësive për të studiuar lokalisht dhe perspektivës ndërkombëtare, duke i nxitur të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen e tyre profesionale në një mjedis gjithnjë e më global.

“Është një mënyrë shumë efektive. Duam të inkurajojmë studentët të studiojnë lokalisht, por të mendojnë globalisht”, theksoi ai.

Në këtë kuadër, studentët kanë gjithashtu mundësi të njihen me jetën akademike në Londër përmes shkëmbimeve ndërkombëtare dhe pjesëmarrjes në shkollën verore të LSE-së. Këto eksperienca synojnë t’u japin atyre një njohje më të drejtpërdrejtë të mjedisit universitar britanik dhe të mundësive që ofron ai.

Në vlerësimin e Dr. James Abdey, përparësia e kurrikulave britanike qëndron te thellimi i njohurive dhe lidhja e tyre me kërkesat e tregut të punës. Ai nënvizoi se të diplomuarit e LSE-së ndërtojnë karriera të suksesshme dhe vlerësohen nga punëdhënësit.

Bashkëpunimi me London School of Economics e pozicionon Universitetin Luarasi si një mundësi për të rinjtë shqiptarë që synojnë një formim akademik me standarde ndërkombëtare, duke studiuar në Shqipëri dhe duke përfituar nga eksperienca, ekspertiza dhe praktikat akademike të një institucioni me bazë në Londër.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb