Avokati Idajet Beqiri ka deklaruar në emisionin ‘Frontline Interview’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv se do t’i drejtohet Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të kërkuar mbikëqyrjen e procesit gjyqësor për dosjen “Partizani”.
Beqiri kërkon që përfaqësues të ambasadës të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit për të ndjekur nga afër zhvillimet e procesit.
Ai pretendon se trualli prej mbi 20 mijë metrash katrorë i ish-kompleksit Partizani është marrë për 14 mijë euro nga Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, shumë që, sipas tij, nuk është paguar, ndërsa vlera e pronës është shumëfish më e lartë.
Avokati shprehet se nuk do të pranonte një vendim pafajësie për personat që, sipas tij, janë përgjegjës për korrupsionin e pretenduar në këtë çështje.
“Vetëm trualli, ata njëzet e ca mijë metra katrorë që janë marrë, është marrë për 14 mijë euro. Edhe këto 14 mijë euro nuk i kanë paguar. E kanë marrë Malltezi, Berisha dhe organizata e tyre kriminale, në një kohë kur vlera e saj është katër mijë herë më e madhe se ato 14 mijë euro që nuk i paguan. Ne kemi dyshime se vendimmarrja e saj mund të jetë shumë e papjekur deri në shkallën që ‘u bëftë qameti, le të më shkarkojnë nga detyra se do më bëjë Saliu deputete’.
Ne do t’i drejtohemi Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ta mbikëqyrë këtë proces. Me mbikëqyrje kuptojmë që përfaqësuesit e saj të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit dhe të shohin vetë çfarë po ndodh. Ne nuk do ta pranonim kurrë një “pafajësi”, për njerëz që, sipas nesh, e kanë bërë korrupsionin hapur. Një Shqipëri e tërë e kupton ku qëndron ai korrupsion, çfarë pasurie u është marrë shqiptarëve dhe në ç’mënyrë është marrë”, tha mes të tjerash avokati Idajet Beqiri.










