Në Baku të Azerbajxhanit u kremtua për herë të parë, që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, Dita e Pavarësisë. Pritja për 114-vjetorin e shtetit shqiptar u kthye në një mundësi të re të marrëdhënieve Tiranë–Baku, me energjinë dhe korridoret tregtare në qendër të diskutimeve. Flamuri kuqezi u ngrit në kryeqytetin azerbajxhanas në një ceremoni ku morën pjesë diplomatë, biznesmenë dhe përfaqësues të qeverisë së Azerbajxhanit. Besart Kadia, ambasadori i parë rezident i Shqipërisë në Azerbajxhan, tha se marrëdhëniet mes dy vendeve mbështeten në besim dhe respekt të ndërsjellë.