Bayern Munichu ka hedhur hapin e parë konkret në garën për sulmuesin e Club Brugge, Nicolo Tresoldi, duke kontaktuar përfaqësuesit e futbollistit 22-vjeçar.
Gazetari i Bild, Christian Falk, raporton se kampionët e Gjermanisë kanë nisur diskutimet për mundësinë e transferimit të lojtarit.
Të lidhura
None found
“Nicolo Tresoldi është në listën e Bayern Munichut. Klubi është në bisedime me përfaqësuesit e tij”, ka deklaruar Falk.
Interesi i klubit bavarez nuk është zbehur edhe pse Nils Schmadtke, drejtuesi i rekrutimit që merrej me ndjekjen e Tresoldit, pritet të largohet nga Bayern Munichu në janar.
Gjermanët e konsiderojnë sulmuesin një investim për të ardhmen dhe planifikojnë ta afrojnë në verën e vitit 2027.
Barcelona, ndërkohë, nuk ka ndërmarrë ende ndonjë veprim zyrtar. Megjithatë, skautët e klubit katalanas e kanë ndjekur Tresoldin nga afër në përballjen e Ligës së Kampionëve mes Club Brugge dhe Liverpoolit.
Në stadium gjatë asaj ndeshjeje ndodheshin gjithashtu përfaqësues të Bayernit dhe Milanit, duke konfirmuar interesimin e disa prej skuadrave më të mëdha evropiane për sulmuesin.
Performancat e tij këtë sezon kanë qenë mbresëlënëse. Tresoldi ka shënuar 16 gola në 19 paraqitje në të gjitha kompeticionet, përfshirë pesë gola në Ligën e Kampionëve.
Pavarësisht këtij interesi, marrëveshja nuk pritet të arrihet lehtë. Club Brugge kërkon 60 deri në 70 milionë euro për kartonin e tij, pasi e bleu nga Hannoveri në vitin 2025 për 7.5 milionë euro.
Kontrata e Tresoldit me klubin belg skadon në vitin 2029, ndërsa beteja mes klubeve për firmën e tij pritet të jetë një nga çështjet më të diskutuara në afatin e ardhshëm kalimtar.







