Vendosni fjalën kyçe....

Sekretarët e administratës Trump po zhvendosen drejt bazave ushtarake për siguri


Rezidencat më të kërkuara në Uashington këto kohë janë mbi një shekull të vjetra dhe ofrojnë privatësi të jashtëzakonshme. Ato ndodhen pas portave me akses të kontrolluar dhe janë të rrethuara me gardhe, të izoluara fizikisht nga pjesa tjetër e kryeqytetit amerikan.

Fillimisht të projektuara për të strehuar gjeneralë dhe zyrtarë të tjerë të lartë ushtarakë, këto rezidenca tashmë janë bërë shtëpi për disa anëtarë të kabinetit të Presidentit Donald Trump, të cilët thonë se ndihen më të sigurt duke jetuar aty sesa në çdo zonë tjetër të qytetit, shkruan CNN.

Rreth gjashtë anëtarë të administratës Trump jetojnë aktualisht në rezidenca ushtarake në Uashington. Ky është një numër historikisht i lartë, duke pasur parasysh se gjatë presidencave të mëparshme ishte e rrallë që zyrtarë të lartë civilë të banonin në këto ambiente.

Megjithatë, për shkak të rritjes së dhunës politike brenda vendit dhe kërcënimeve të reja nga kundërshtarë të huaj, ekspertët thonë se prirja e drejtuesve për të jetuar në komplekse ushtarake të sigurisë së lartë mund të vazhdojë edhe në administratat e ardhshme, qofshin ato republikane apo demokrate.

CNN raportoi këtë muaj se Irani po harton plane për të vënë në shënjestër zyrtarë të lartë të administratës Trump, përmes shpërthimit të një të ashtuquajture bombe të pistë ose përdorimit të një arme kimike në Uashington.

Ajo që po humbet, megjithatë, është tradita demokratike sipas së cilës drejtuesit civilë jetojnë mes qytetarëve të zakonshëm.

Ndërsa Trump ka punuar për të lënë gjurmën e tij në Uashington, duke dislokuar trupa të Gardës Kombëtare me argumentin se qyteti nuk ishte i sigurt, duke rikonstruktuar Shtëpinë e Bardhë me ndërtimin e një salle të re gjigante dhe duke ndërmarrë projekte për zhvillimin e një fushe publike golfi, ironia qëndron në faktin se administrata e tij është më e izoluar nga qyteti se çdo administratë e mëparshme.

“Kur kanë poste të tilla, ata tashmë jetojnë në një lloj flluske, sepse shoqërohen nga truproja dhe transportohen nga një aktivitet në tjetrin ose drejt banesave të tyre”, tha Thomas Kahn, drejtor i Qendrës për Studimet e Kongresit dhe Presidencës në Universitetin Amerikan. “Por tani, në një mënyrë edhe më të theksuar, ata nuk jetojnë as në llojin e lagjeve ku jetojmë shumica prej nesh”.

“Kjo që ndodh kontribuon në izolimin e zyrtarëve publikë ose e thellon atë, dhe është shumë e trishtueshme”, shtoi Kahn.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, duke iu referuar rënies së kriminalitetit në Uashington, deklaroi se “ndonëse shumë prej këtyre anëtarëve të kabinetit nuk mund të jetojnë vetë në qytet për shkak të kërcënimeve të drejtpërdrejta ndaj sigurisë së tyre, ata kanë kontribuar personalisht në përpjekjet e administratës për ta bërë kryeqytetin ‘të sigurt dhe të bukur’”.

Megjithatë, këto mënyra akomodimi kanë tërhequr vëmendjen dhe kritikat e disa ligjvënësve demokratë. Pentagoni duhet t’i raportojë Komisionit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, deri në pranverën e ardhshme, për zyrtarët e emëruar politikisht që jetojnë në rezidenca ushtarake. Raporti duhet të përfshijë kërcënimet që justifikojnë zhvendosjen e tyre, bazën ligjore për këto akomodime dhe kostot e qirasë.

Kongresmeni George Whitesides nga Kalifornia, i cili siguroi miratimin e raportit nga Komisioni i Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se hetimi është i nevojshëm për të shqyrtuar “zyrtarët e emëruar politikisht që jetojnë në banesa të destinuara për personelin ushtarak, me qëllim garantimin se ata paguajnë çmime të drejta të tregut”.

Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, është anëtari më i fundit i kabinetit që dihet se është zhvendosur në një rezidencë ushtarake. Ai është larguar së fundmi nga vila e tij në lagjen Georgetown dhe është vendosur në një bazë ushtarake të sigurisë së lartë në Uashington.

Duke folur në emisionin “Squawk Box” të CNBC-së në fillim të këtij muaji, Bessent tha se kërcënimet iraniane ndaj jetës së tij e kishin detyruar të ndërmerrte këtë ndryshim. Ai ka udhëhequr një fushatë presioni ekonomik ndaj Iranit, përmes sanksioneve të gjera.

“Dreqi e marrtë udhëheqjen iraniane”, deklaroi Bessent. “Nuk do të frikësohem prej tyre. Ata kanë bërë kërcënime me vdekje ndaj meje dhe anëtarëve të tjerë të kabinetit. Nuk do të frikësohemi”.

Edhe Prokurori i Përgjithshëm, Todd Blanche, është zhvendosur së fundmi në një bazë ushtarake, sipas personave të njohur me çështjen, për shkak të shqetësimeve për sigurinë e tij. Paraardhësja e tij, Pam Bondi, kishte jetuar gjithashtu në një bazë ushtarake gjatë vitit të kaluar.

Ndërsa disa zyrtarë janë zhvendosur në banesa të mbrojtura për shkak të kërcënimeve nga jashtë vendit, të tjerë kanë shprehur shqetësime për dhunën politike brenda SHBA-së, veçanërisht pas vrasjes së aktivistit konservator Charlie Kirk dhe shtimit të kërcënimeve të tjera të besueshme ndaj tyre.

Shefi i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, dhe bashkëshortja e tij, Katie, të cilët kanë katër fëmijë, u zhvendosën vitin e kaluar nga banesa e tyre në Virxhinia në një rezidencë ushtarake. Ky vendim erdhi pasi një grua protestoi jashtë shtëpisë së tyre dhe shpërndau fletushka ku ishte shënuar adresa e banimit të çiftit.

Zyrtari i Shtëpisë së Bardhë deklaroi: “Familja Miller u zhvendos për shkak të një fushate të organizuar dhe të dokumentuar mirë përndjekjeje, publikimi të të dhënave personale dhe kërcënimesh, që kishte në shënjestër banesën e tyre”.